E zhgënjyer nga socialistët Rudina Hajdari ka bërë një propozim të ri për listat e kandidatëve për deputetë.
Ndërsa kërkon hapjen 100% të listave Hajdari propozon që emrat e kandidatëve të mos radhiten sipas numrave të përcaktuara nga kryetari i partisë por sipas rendit alfabetik.
Por për numrin dy të socialistëve Taulant Balla formula e maxhorancës është më e mira dhe shumë shpejt do të kalojë në Parlament.
Rudina Hajdari nuk e fshehu zhgënjimin nga socialistët në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik kur u përball me propozimin e Damian Gjiknurit për listat e kandidatëve për deputetë.
Duke e cilësuar draftin e shumicës si një propozim që i mban të mbyllura listat, Hajdari në emër të grupimit të saj të ri politik ka propozuar një formulë të re për shpërndarjen e mandateve, ku zgjedhësit zgjedhin 100% të kandidatëve që do të hyjnë në parlament.
Rudina Hajdari propozoi një formulë të ngjashme me atë që kreu i demokratëve, Lulzim Basha kërkoi të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme, ku zgjedhësit kanë mundësi të votojnë fillimisht forcën politike, njëkohësisht të kenë të drejtën për një zgjedhje preferienciale të një prej kandidatëve, lista e të cilëve të mos jetë renditur nga kryetari i partisë por të jetë hartuar në rend alfabetik.
Lista e kandidatëve të Partisë do të jetë 100% e hapur, jo vetëm në cilësinë e të drejtës së zgjedhësit për të shprehur thjesht pëlqimin e tij,por mbi të gjitha duke i dhënë atij 100% fuqinë që të vendosë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij në Kuvend.
Me këtë synim, ne kemi propozuar që renditja e kandidatëve të mos bëhet më sipas rendit numerik por sipas rendit alfabetik, duke filluar nga kandidati me gërmën “A” e kështu me radhë.
Kjo mënyrë e zhvleftëson totalisht renditjen paraprake duke i dhënë vlerë vetëm renditjes përfundimtare e cila do të vendoset në bazë të votave para pëlqyese që secili prej kandidatëve ka marrë.
Hajdari i ka bërë thirrje socialistëve dhe demokratëve që të martën t’i rikthehen tryezës së Këshillit Politik.
Por për numrin dy të maxhorancës, Taulant Balla, formula e propozuar nga PS nuk i mohon mundësinë zgjedhësve të votojnë për emrin e preferuar.
Formula e koalicioneve për socialistët do të duhet të ndryshojë, ku PS do të hyj e vetme teksa opozita sipas Ballës nëse do mund të hyj me një listë të përbashkët./abcnews.al