Lirohet nga burgu “Ballisti”

schedule14:14 - 10 Korrik, 2018

schedule 14:14 - 10 Korrik, 2018

Ismail Morina, ka fituar lirinë në Itali. Ai kërkohej nga drejtësia serbe për ngritjen e dronit në 2014-n në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Morina, i njohur ndryshe dhe si “Ballisti”, fillimisht u arrestua në Kroaci e më pas u ekstradua në Itali ku dhe fitoi lirinë.

Ismail Morina, i quajtur ndryshe dhe si “Ballisti” është liruar nga burgu në Itali. Këtë e ka bërë të ditur vetë shqiptari me anë të një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook. “Ballisti” ka shpërndarë një fotografi, ku shfaqet bashkë me konsullin e përgjithshën të Republikës së Shqipërisë të akredituar në Bari të Italisë, Adrian Haskaj.

“Përgëzime të veçanta strukturave të shtetit shqiptar që janë pëfshirë në përpjekjet për lirimin tim, respekt për Kroacinë dhe Italinë në paanshmërinë e treguar prej tyre dhe mirënjohje gjithë atyre që zbritën rrugëve të kryeqytetit shqiptar në mbrojtjen time”, shkruan Morina.

Ndërkohë, ai kërkohej nga drejtësia serbe për shkak të dronit të ngritur me 14 Tetor të 2014-s në stadiumin e Beogradit ku luhej ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri. Për këtë arsye fillimisht u ndalua në Kroaci, ku kaloi nëpër procese të gjata të drejtësisë. Fillimisht Shkalla e Parë e gjykatës vendosi pro ekstradimit të tij në Serbi.

Por pas apelimit, gjykata e lartë rrëzoi shkallën e parë duke urdhëruar dërgimin e tij për në vendin e origjinës, që figuronte Italia. Më pas drejtësia e Barit rrëzoi kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe e la të lirë. Tashmë Morina mund të udhëtojë në çdo vend të botës përveç Serbisë, ku kërkohet për akuzën e terrorizmit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!