“Lirimi i policëve, hap i mirë drejt qetësimit të situatës në veri”, Anton Berisha: Qeveria Kurti duket sikur kërkon tensione

schedule16:32 - 26 Qershor, 2023

schedule 16:32 - 26 Qershor, 2023

Ish zëvendës ministri i Jashtëm në Kosovë, Anton Berisha tha se lirimi i tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe disa ditë më parë është një hap i mirë drejt depërshkallëzimit të situatës në veri. Në një intervistë për “Ballkan Update”, ai tha se duket sikur qeveria Kurti kërkon tensione në veri.

“Në kuptimin politik, është një hap i mirë në drejtim të deeskalimit të situatës dhe në kuptimin e interpretimeve e shoh si një tensionim të panevojshëm të situatës në veri edhe nga vetë ana e qeverisë së Kosovës sepse Serbia gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e gatshme për ta destabilizuar Kosovën sepse atë e ka politikë të përhershme. Por qeveria e Kosovës me në krye Kurtin sikur tregon se është e interesuar të tensionojë situatën duke harruar se kriza në veri nënkupton krizë në territorin e Republikës së Kosovës dhe krizë me qytetarët e saj dhe në këtë kuptim nuk e kam miratuar atë qasje të qeverisë.“, theksoi Berisha.

Ai shtoi se Kurti po luan me dy porta dhe se është bërë i paparashikueshëm si për publikun ashtu edhe për diplomatët. Ndërkohë, duke u ndalur tek presidentja Vjosa Osmani, ish zëvendës ministri i Jashtëm tha se ajo duhet të jetë më konkrete në qëndrimet e saj.

“Aktualisht, qëndrimi i presidentes është më i rëndësishmi edhe në kuptimin e rolit të saj si presidente por edhe në relacionin me partnerët sepse ka indikacione se i është kërkuar të ketë një rol më aktiv në këtë situatë dhe mendoj se duhet të jetë më konkrete dhe të harmonizojë fjalitë e mira jme vepra konkrete“, shtoi Berisha./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!