Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha ka lënë qelinë e burgut të Fierit. Ai u lirua me kusht nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që i pezulloi dënimin e mbetur prej 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të këtij vendimi, i dënuari me 6 vjet e 8 muaj si pjesë e dosjes “Xibraka” la qelinë pa kaluar 4 vjet nga dita e arrestimit.
Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, i dënuar nga Krimet e Rënda me 6 vjet e 8 muaj burg si pjesë e një grupi kriminal të përpunimit e tregtimit të kokainës ka lënë përfundimisht qelitë e burgut.
Hoxha, emri më i lakuar i dosjes “Xibraka”, është liruar në 13 Shtator nga burgu i Fierit, në zbatim të një vendimi të Gjykatës të këtij rrethi. Ka qenë gjyqtari Piro Sota, toga e zezë që ka urdhëruar lirim të menjëhershëm pasi ka pranuar kërkesën e Hoxhës për liri me kusht, duke pezulluar ekzekutimin e pjesës së mbetur të vuajtjes së dënimit prej 1 vit e 6 muaj burg. Gjatë kësaj kohe, Ermal Hoxha nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.
Përmes këtij vendimi, Hoxha shijoi lirinë pa kaluar 4 vjet nga izolimi në qeli. Nipi i diktatorit u arrestua në Janar të 2015-s si pjesë e grupit kriminal nëntë anëtarësh, dy prej të cilëve shtetas kolumbianë.
Në Korrik të vitit 2017, ai u dënua me 10 vite burg pasi u shpall fajtor për akuzën e “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Në Nëntor të vitit 2017, Apeli i Krimeve la në fuqi fajësinë e tij, por pranoi gjykimin e shkurtuar, duke ulur masën e dënimit për të në 6 vjet e 8 muaj burg, një pjesë e konsiderueshme e të cilit ishte vuajtur me kohën e paraburgimit.
Kërkesa e shqyrtuar nga gjyqtari Piro Sota nuk ka qenë e para e bërë nga Ermal Hoxha për ulje dënimi. Në muajin Maj të vitit 2018, ai ka bërë një kërkesë të njëjtë në Gjykatën e Fierit. Kërkesa është shqyrtuar nga gjyqtarja Marsela Dervishi, e cila ka pushuar çështjen për shkak të mosparaqitjes së Ermal Hoxhës në seancë.
Ndërkohë Ermal Hoxha nuk ka hequr dorë nga kërkesa për pafajësi ndaj akuzave që e lidhin e me laboratorin e kokainës në “Xibrakë”. Në Gjykatën e Lartë ndodhet në pritje të shqyrtimit rekursi i bërë prej tij kundër vendimit të Apelit të Krimeve.
Nëntë të pandehurit e dosjes, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane dhe një tjetër në kërkim, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total, masë dënimi që u ul ndjeshëm në Apel./abcnews.al