Lirimi i Endrit Dokles, Prokuroria e Krujës publikon shkeljet e gjykatëses

schedule10:01 - 16 Janar, 2020

schedule 10:01 - 16 Janar, 2020

Në një lidhje direkte me emisionin ABC-ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demin, gazetarja Glidona Daci ka dhënë detaje në lidhje me kërkesën e prokurorisë për ankimimin e vendimit të lirimit të Endrit Dokles.

Prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes së Endrit Dokles, anëtar i “Bandës së Durrësit”, i cili ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe te Durresit ka sjellë përplasjen mes Prokurorisë së Krujës dhe Gjykatës.

Gazetaja e abcnews.al thekson se prokuroria në ankimimin e saj e cilëson shkelje vendimin e dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe në fund kërkon që të anulohet vendimi për Endrit Doklen dhe ai të vijojë dënimin e tij.

Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria prane Gjykates se Shkalles se Pare Kruje, ka bërë publike per median shkaqet e ankimit te cilin e ka dorezuar në Gjykatë;

Pjese nga deklarata:

Në interpretim të dispozitave dhe duke patur në vëmendje Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ndaj një të dënuari mund të aplikohet si dënim alternativ lirimi me kusht nëse plotësohen këto kushte:

Së pari, ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shëmbullore. Në nenin 64 po dhe në interpretim qëllimor dhe sistematik të nenit 65 të kodit penal ( së bashku lidhen me të njëtin institut) nuk janë përcaktuar rastet që konsiderohen si “arsye të veçanta” por referuar qëndrimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë “arsyet e veçanta” nuk janë të pavarura, ato janë të lidhura ngushtë me qëllimin e institutit të lirimit me kusht i cili ka të bëjë me riedukimin dhe riintegrimin në shoqëri të të dënuarit. Arsyet e veçanta nuk janë gjë tjetër veçse rrethana konkrete, të cilat provojnë se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri. Ato janë fakte të cilat provojnë se me pjesën e dënimit të vuajtur është arritur qëllimi i dënimit penal në rastin konkret për edukimin e të dënuarit dhe ai është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri.

Në rastin konkret nuk ka fakte që qëllimi i dënimit penal është realizuar me riedukimin e tij .

  1. a) Së pari kërkuesi është dënuar për vrasje me paramendim dhe krime të tjera të rënda.
  2. b) Së dyti, i dënuari e ka kryer në bashkëpunim si dhe ka qënë pjesë e formacione të bashkëpunimit të vecantë si “grup i strukutuar krimiminal”
  3. c) Së treti, lidhur me qëndrimin që ai ka pasur ndaj veprës në përfundim të gjykimit ka kërkuar pafajësi. Pra, nuk e ka pranuar veprën.

Sa më sipër, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprës penale të cilën ka konsumuar i dënuari fakti që vepër të rëndë kundër jetës të cilën ai është dënuar, faktin që ajo e ka kryer veprat me dashje direkte dhe në bashkëpunim si dhe faktin që ka mbajtur qëndrim mohues për veprën, nuk krijon bindjen e brendshme se kërkuesi ja ka arritur qëllimin e dënimi për të liruar para kohe.

Së dyti, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin i është arritur qëllimit për edukimin e tij. Sjellja e të dënuarit vlerësohet për tërë kohën e dënimit të vuajtur dhe Gjykata mban parasysh respektimin e rregullores brenda institucionit, ekzistencën ose jo të masave disiplinore, marrëdhëniet e krijuara me bashkëvuajtësit e personelin e institucionit, qëndrimin e të dënuarit ndaj veprës penale, angazhimin e tij në aktivitetet sportive, kulturore, fetare, pjesëmarrjen në këshillimet individuale apo në grup, ndjekja e kurseve arsimore e profesionale me qëllim rritjen e nivelit arsimor, profesional e kulturor, marrja e lejeve shpërblyese etj. Provat në të cilat bazohet Gjykata për të konkluduar nëse me sjelljen e qëndrimin e tij është arritur qëllimi i edukimit janë aktet që gjenden në dosjet e të dënuarit dhe regjistrat përkatës që mbahen në çdo I.E.V.P në respekim të VKM-së nr.303, datë 25.03.2009 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”.

Fakti që kërkuesi nuk shprehet për pëndëse e bën dhe raportet e shërbimit të provës dhe IEVP, në lidhje elementin e riedukimit të të dënuarit Endrit Dokle, të pa plota për të vlërësuar qëllimin e riedukimit të tij.  Gjithashtu nuk shpjegohet se ku bazohet ky qëndrim kur sipas avokatit të kërkuesit në seance deklarohet se ky shtetas vuan nga semundje depresive, si dhe gjatë intervistave në IEVP  i dënuari nuk pranon përgjegjësinë kryesore për disa vepra për të cilat është dënuar ( lexo faqe  8 të Raportit të shërbimit të Provës ).

Ajo që duhet të vlerësohej dhe të analizohej nga instiucionet e mësipërme dhe prej gjykatës është dhe fakti se kërkuesi është dënuar pra është përsëritës dhe me vendimin  nr.29 dt 15.04.2013 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ,e cila ka deklaruar fajtor për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal “parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe trafikimi i narkotikëve në kuadër të grup i strukturuar kriminal parashikuar nga neni 283/a/2 dhe 334/1 i Kodit Penal duke e dënuar me 16 vite burgim.

Së treti: në rastin e të dënuarit me burgim të përjetshëm ligjvënësi ka sanksionuar se si rregull lirimi i tyre me kusht nuk lejohet, përjashtimisht lirimi i tyre lejohet nëse lotësohen disa kondita të tjera të cilat sipas nenit 65 të kodit penal janë :  të ketë vuajtur jo më pak se 35 vite burgim; – gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore; çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. Në çdo rast lirimi i një të dënuari me burgim të përjetshëm konsiderohet si i jashtzakonshëm. Në vijim, nëse i dënuari është duke vuajtur dënimin për ndonjë nga veprat penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c dhe paragrafi i tretë i nenit 100 dhe rezulton të jetë dënuar me burgim të përjetshëm, lirimi i tij nuk lejohet pavarësisht se ai plotëson të gjitha konditat e tjera ligjore siç janë koha e vuajtjes së dënimit, sjellja e tij apo fakti se është arritur qëllimi i edukimit të tij.

Në çështjen objekt gjykimi rezultoi se kërkuesi nuk plotësonte kushtet e përmendura më lart çka nënkupton se :nuk provohet ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shëmbullore, nuk ka vuajtur as 25 vite sipas ligjit para ndryshimeve dhe as 35 vite sipas ligjit në fuqi nga dënimi i dhënë. Në rastin konkret duhen hequr kohën e përfituar me amnisti rreht 5 vite, kështu  kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur për efekt të nenit 64 dhe 65 të K.Penal rreth 20 vite pra nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit.

Gjatë këtij gjykimi është administruar raporti i vlerësimit nga ana e Shërbimit të Provës me nr. 621/2 datë 02.12.2019 sipas të cilës qëndrimi i këtij institucioni është për sa më poshtë vijon: “Shërbimi i Provës, në cilësinë e institucionit misioni i të cilit, bazuar në ligjin procedurial dhe kriteret e ligjore , është në mbështetje të çdo kërkese për aplikim të dënimeve alternative dhe mbikqyrja, mbështetja, asistimi i të dënuarve gjatë procesit të rehabilitimit dhe risocializimit. Në fund të realizimit të këtij qëllimi, Shërbimi i provës , nqa Gjykata do ta gjykonte të arsyeshme pranimin e kërkesës së të dënuarit Endrit Dokle, është dakort dhe do ta mbështeste këtë vendim dhe në përmbushje të detyrave funksionale do ta ndihmonte dhe asistonte të dënuarin gjatë procesit të rehabilitimit të tij, pranë familjes”

Sipas avokatit të të dënuarit deklaron se ai vuan nga sëmundje depresive për të cilën gjykata duhet të kishte caktuar ekspert mjekoligjor mbi këtë fakt. Nisur nga qëndrimi i mjekut gjykata duhet të vlerësojë të lejojë që dënimi me burgim të ekzekutohet jo në një I.E.V.P apo në një qendër të kujdesit dhe shëndetit publik nëse provohej sëmundja mendore, për të cilën pa u hetuar ky shkak krijon premisa jo të sakta mbi rrezikshmërinë e kërkuesit. Është Gjykata më pas në kuadër të çmuarjes së provës pa i dhënë asnjë provë vlerë të paracaktuar të analizojë në tërësi dhe të vendosë mbi kërkesën e palës.

Së katërti : Në lidhje me kohën e vendosjes në shërbim në provë gjykata ka vendosur vendosjen në periudhë provë për një periudhë  prej 5( pesë)  vjetësh, që është në kundërshtim me Vendimin Unifikues sipas të cilit orienton gjykatata me efekt të detyrueshëm për zbatim : “Në mungesë të një rregullimi të saktë ligjor, koha e provës do të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim, për të dënuarin që lirohet me kusht.” Pra gjykata ka gabuar në zbatimin për analogji të  kohës e caktuar duke referuar parashikimet tek neni 59 i Kodit Penal dhe ka caktuar në mënyrë jopropocionale dhe ligjore kohën e shërbimit në provë vetëm për 5 vite.

Për këto arsye, organi i akuzës çmon se kërkesa është e pabazuar ligjerisht në bazë të nenit 64 dhe 65 te Kodit Penal, ndaj edhe duhej të rrëzohej nga gjykata  dhe rrjedhimisht vendimi gjyqësor për pranimin e kërkesës së të dënuarit  është i pabazuar në ligj dhe prova dhe duhet të ndryshohet

Përfundimisht është kërkuar: Ndryshimi i vendimit nr.6/123 Akti. datë 14.01.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Rrëzimi i kërkesës së të dënuarit Endrit Dokle për “Lirimin me kusht ” si të pa bazuar në ligj dhe në prova./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!