Në raportin vjetor për liritë fetare, Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar Shqipërinë, për progres të mangët në procesin e kthimit të pronave të komuniteteve fetare dhe për bllokim të programeve të parandalimit të radikalizimit.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për liritë fetare ka patur mes të tjerash, dy pika kritike për Shqipërinë. Edhe pse vlerëson tolerancën dhe bashkjetesën fetare në vendin tonë, dokumenti kritikon shtetin shqiptar se nuk ka bërë sa duhet për kthimin dhe kompensimin e pronave të komuniteteve fetare. Raporti nënvizon se Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin ka ecur me ritme të ngadalta në këtë proces, edhe pse pretendon se së fundmi ka zgjidhur 423 raste të tilla. Raporti kritikon gjithashtu përpjekjet e vakëta të qeverisë shqiptare për parandalimin e fenomenit të radikalizmit fetar. Edhe pse u përgatitën 29 mësues në 15 shkolla për promovimin e tolerancës, vijon raporti, implementimi i programit arsimor u bllokua në maj dhe e ardhmja e tij nuk është e sigurtë. Megjithatë raporti ka edhe konstatime pozitive për vendin tonë. Në veçanti ai vlerëson faktin që Kushtetuta shqiptare garanton lirinë e besimit dhe përcakton se në vend nuk ka një fe zyrtare. Gjithashtu, merret në konsideratë marrëveshja që qeveria ka me komunitetet fetare, përfshirë këtu myslimanët sunitë, bektashinjtë, katolikët, ortodoksët dhe Vllazërinë Ungjillore, që përfaqëson fenë protestante. Nuk anashkalohet as ligji që detyron qeverinë t’u japë komuniteteve në fjalë mbështetje financiare, me përjashtim të Vllazërisë Ungjillore, e cila nuk përcaktohet për përfitimin e fondeve. Një tjetër vlerësim për vendin tonë është edhe ekzistenca e Këshillit Ndërfetar, një forum ku liderët fetarë të vendit diskutojnë probleme të përbashkëta. Gjatë vitit të kaluar këshilli në fjalë u takua tre herë, ndryshe nga viti parardhës kur nuk zhvilloi asnjë tryezë. /abcnews.al