Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet kontrollit të fakteve për vërtetësinë e lajmit. Këshilla erdhi nga e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Leyla Moses Ones. Ajo inkurajoi gazetarët investigative, që të mos dekurajohen pavarësisht kushteve të vështira që ndeshen jo vetëm në Shqipëri.
Është folur e vazhdon të përsëritet sa i rëndësishëm është roli që luan media në një shoqëri. Hapat për ta bërë të lirë e të pavarur nuk janë hedhur aq sa duhet as në Shqipëri. Pasojat i përmend edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Leyla Moses Ones në konferencës mbi kontrollin e fakteve.
“Shqyrtimi i fakteve luan një rol vendimtar për të zbuluar paragjykimet dhe duke kundërshtuar censurën. Puna juaj për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë në Shqipëri dhe në rajon nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme”, tha Moses Ones.
Përfaqësuesja e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë bëri publik dhe rezultatet e një anketimi ku janë intervistuar rreth 800 gazetarë.
“Në gjysmat e të anketuarve raportuan se kishin marrë një urdhër të drejtpërdrejtë nga një pronar mediave ose një kryeredaktor për të shkruar një lajm të porositur. 41% besonin se mediat censuronin veten. 36% se kishte vetëcensurë të shpeshtë”, tha ajo.
Ajo këmbënguli që angazhimi në median e pavarur duhet të vazhdojë, duke vlerësuar se edhe ajo çka gazetarët bëjnë sot meriton vlerësim.
“Më bën shumë përshtypje trimëria që ju tregoni. Kurajoja që tregoni çdo ditë në kapërcimin e të gjithë pengesave që synojnë t’ju bëjnë të heshtni”, tha ajo./ABC News Albania 24/7