Lioni fiton Championsin në futbollin e femrave

schedule14:38 - 19 Maj, 2019

schedule 14:38 - 19 Maj, 2019

Lioni fitoi Ligën e Kampionëve për femra, duke mundur në finale Barcelonën. Suksesi ishte i thellë, arritur me 3 gola të norvegjezes Hegerberg.

Reali i Madridit në futbollin e femrave është francez.

Lioni u kurorëzua sërish me titullin e Championsit, të gjashtin në histori, edhe pse përballë në finale pati një emër të madh, Barcelonën.

Të kuptohemi, katalanaset janë tepër larg emrit të skuadrës së meshkujve, ndonëse patën mundësi t’i jepnin klubit të tyre Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Nuk ia dolën përballë një skuadre të madhe, tashmë gjashtë herë në krye të Europës, duke humbur 1-4 në Budapest të Hungarisë.

Nëse vajzat e Barçës ishin për herë të parë në një finale të tillë, Lioni luante sfidën e tetë, ndërsa pati në radhët e veta lojtaren më të mirë të Europës, e ndoshta të botës, norvegjezen, Ada Hegerberg.

Pikërisht biondia skandinave ishte autore e tre golave, duke I rreshtuar pasi Lioni kaloi në epërsi falë gjermanes me origjinë hungareze, Xhenifer Marozhan.

Dominimi i Olimpikut ishte kaq i madh saqë pjesa e parë u mbyll 4-0, ndërsa pas pushimit, kampionet e ulën ritmin, duke mos shënuar më.

Katalanaset realizuan një gol ngushëllimi pranë fundit, me autore nigerianen Asisat Oshoala, duke mbrojtur në një farë mënyre, nderin.

Një sukses i madh i futbollit francez, edhe pse shpërblimi financiar është shumë më I ulët sesa tek djemtë, me Lionin që fitoi vetëm 250 000 euro për titullin. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!