Lionel Messi vendos rekorde të reja në Champions dhe ngrihet në qiell pas tre golave të shënuar për Barcelonën. Argjentinasi vazhdon të thyejë rekorde në karrierë.
Nuk do të lodhen kurrë së marri me të.
I detyron vetë ai, Lionel Messi, me epitetin e merituar “Mbreti i sotëm i futbollit”. Superylli argjentinas shënoi tri herë për Barcelonën në portën e PSV Eindhoven-it, duke ndihmuar ekipin të bënte nisjen më të mirë të mundshme në Ligën e Kampionëve.
Që prej fillimit të sezonit, numri 10 deklaroi se Championsi ishte objektivi kryesor i tij dhe i klubit, dhe në fushë tregoi pikërisht këtë. Pas 4 vitesh dështime, në të cilat Reali i Madridit e fitoi tri herë kupën e madhe, katalanasit nuk mund të tolerojnë më.
Gjithsesi, Messi shënoi edhe për vetveten. Ai ka tani 7 gola në sezon, duke qenë si gjithnjë në garë për Këpucën e Artë dhe për Topin e Artë. Leo theu rekordin e mbajtur nga ai vetë dhe nga Kristiano Ronaldo, duke pasur tani 8 trigolësha në Champions.
Tifozët në rrjetet sociale i thurin lavde argjentinasit që është i dyti lojtar në këtë kompeticion, pas Raulit, që shënon në 14 edicione radhazi. Po ashtu, e ngrenë në qiell sepse kaloi Ronaldon për numrin e rrjetave të shënuara në fazën e grupeve.
Trajneri Valverde u detyrua të përsëriste në konferencën për shtyp fjalët që i kishte thënë kushedi sa herë.
“Është një bekim që e kemi Mesin në ekip, – tha ai, – Leo bën që gjërat më të vështira, të duken fare të rëndomta. Jemi duke përjetuar diçka të papërsëritshme. Si ish-lojtar dhe trajner në La Liga unë nuk kujtoj asnjë tjetër në nivelin e tij, dhe mendoj se do të jetë e vështirë që një i tillë të vijë në të ardhmen”.
Mediat, natyrisht që, e ngritën në qiell, në fund të fundit, ajo është puna e tyre.
Gazeta “El Mundo Deportivo” e Barcelonës: Messi, Messi, Messi dhe Dembeleja. Gjigandi realizoi tregolëshin e 42-të në karrierë.
“Sport”: Shko atje ku dëshiron! Messi firmos një tregolësh dhe objektivi i tij është Championsi!
“Marka” titullon: Kështu fillohet, ndërsa në kopertinë ka fotot e Messit dhe Diego Kostës, për fitoret e Barçës dhe Atletikos së Madridit.
Gazeta “AS” nuk merret edhe aq me Messin, për të cilin ka një titull të vogël në fund të faqes së parë, por me ofendimin e Sergio Ramosit për Antuan Grizmanin.
Tifozët katalanas shpresojnë që Messi t’ia japë Barcelonës, më në fund, këtë Champions./abcnews.al