Lindje e mesme, Izraeli godet bazat iraniane në Siri

schedule14:00 - 25 Gusht, 2019

schedule 14:00 - 25 Gusht, 2019

Përmes një sulmi ajror, forcat e armatosura të Izraelit kanë goditur disa baza iraniane në Siri. Vetë ushtria izraelite ka deklaruar se në këtë mënyrë ka shmangur një atentat të përgatitur nga regjimi islamik në dëm të shtetit hebre.

Qeveria në Izrael ka njoftuar ditën e diel se përmes një operacioni ushtarak ka goditur bazat iraniane në Siri, duke parandaluar një atentat të organizuar nga regjimi në Teheran.

Sipas ushtrisë izraelite, që rrallë herë publikon të dhëna nga operacionet e saj, sulmi i Republikës Islamike do të kryhej përmes dronëve të armatosur.

Kryeministri Beniamin Netanjahu përshëndeti aksionin, duke vlerësuar maksimalisht punën e forcave të armatosura. Izraeli dyshohet se ka kryer disa qindra sulme në Siri që nga fillimi i luftës, në vitin 2011, me qëllim parandalimin e shtrirjes së influencës iraniane.

Një zëdhënës ushtarak deklaroi se sulmet e fundit vunë në shënjestër forcat iraniane në jug-lindje të Damaskut, por një burim zyrtar sirian deklaroi se sistemet anti-ajrore i lokalizuan në ajër mjetet luftarake të qëlluara nga Lartësitë Golan dhe shumica e tyre u asgjësuan përpara se të preknin objektivat.

Sidoqoftë, kryeministri Netanjahu i ka kushtuar shumë rëndësi operacionit, duke deklaruar se forcat izraelite do të veprojnë në çdo sektor ku ndihet kërcënimi iranian.

“Nëse dikush ngrihet për të të vrarë, atëherë vrite i pari”, ka deklaruar Netanjahu, duke cituar sloganin e forcave speciale të ushtrisë izraelite.

Ndërkohë, në një episod tjetër, dy dronë izraelitë u rrëzuan në kryeqytetin e Libanit, Beirut, në një zonë bastion të lëvizjes islamike Hezbollah.

Zëdhënës të fraksionit bënë të ditur se një dron ra mbi çatinë e një ndërtese që shërbente si seli për mediat e organizatës dhe tjetri shpërtheu në ajër, për të rënë më pas në një zonë aty pranë./ABC News Albania 24/7