Limaj: Delegacioni do të jetë në Bruksel pa Thaçin

schedule13:16 - 4 Janar, 2019

schedule 13:16 - 4 Janar, 2019

Një nga kryesuesit e delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj, u shpreh se do të jenë në Bruksel në datën 8 Janar pa presidentin Hashim Thaçi. Limaj tha se takimi i radhës do të jetë informues dhe pritet të caktohet një datë për rinisjen e dialogut.

Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës, në 8 Janar, do të udhëtojë për në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, por pa pjesëmarrjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili deri tani ka udhëhequr bisedimet Prishtinë-Beograd. Lajmi është konfirmuar për mediat në Kosovë, nga një prej kryesuesve të ekipit negociator, njëkohësit zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj.

Limaj tha se në Bruksel do të shkojnë të vetëm, pasi sipas tij takimi do të jetë me tepër informues. Ai theksoi se pritet të caktohet një datë e saktë se kur do të rinisë dialogu. Ndërkohë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi në konferencën e fundvitit para gazetarëve, u shpreh se në 8 Janar do të ishte në Brezovicë për ski. Por kreu i shtetit sërish nuk është tërhequr nga ideja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Në anën tjetër, lidhur me mundësinë që çështja e “korrigjimit të kufirit” të jetë temë diskutimi në Bruksel, kryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj tha se në Bruksel do të flitet për atë që do të vendoset nga ekipi negociator.

Përderisa në Kosovë po diskutohen temat të cilat duhet të prezantohen në fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e dyta ka bërë të ditur se nuk do të dialogojë me Prishtinën pa u hequr taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, vendim ky i marrë nga qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!