Lila: Futbollistët pa sigurime shoqërore, marrin kredi për operacione kur dëmtohen

schedule22:55 - 3 Nëntor, 2021

schedule 22:55 - 3 Nëntor, 2021

Andi Lila foli në “Refleksione”, në ABC edhe për angazhimin e tij në drejtim të nënshkrimit të kontratave ku futbollistëve t’u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ai tha se ecurinë sipas standardeve e ka arritur vetëm ekipi kombëtar, ndërkohë që shumë klube duhet të përmirësojnë kushtet e funksionimit të jetës së futbollistëve. “Ka futbollistë që luajnë prej 20 vitesh dhe janë pa sigurime shoqërore. Por kur këta futbollistë lënë karrierën për shkak të dëmtimeve, që ndodhin jo rrallë, nuk ka kush t’i mbrojë, e aq më pak t’i paguajë kostot e operacionit, dhe ata rrezikojnë të dalin në rrugë”, tha Lila, duke kujtuar se jo të gjithë ata që lënë futbollin apo shkëputen prej tij, për shkak të dëmtimeve, mund të bëhen trajnerë apo specialistë futbolli.

Lila ngriti alarmin për të rregulluar futbollin e moshave dhe kërkoi që terrenet sportive të mos zaptohen për interesa të tjera. “Sportistët e rinj nuk kanë terrene sportive ku të stërviten. Fatkeqësisht shumë terrene sportive janë shndërruar në pallate shumëkatëshe. Stërvitja në fusha sintetike apo private është një kosto e lartë për ta dhe për familjet e tyre”, tha Lila. Ai bëri thirrje që shteti të bëjë gjithçka që sportistët të jenë të siguruar me sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Sipas tij, futbolli nuk është vetëm një loja, por është një aktivitet që argëton dhe tërheq shumë njerëz, ndaj të qenurit të pasiguruar jep një shembull negativ jo vetëm për ata që duan ta ndjekin, por edhe për biznese të tjera që paguajnë.

Lila u bëri thirrje futbollistëve që, në bashkëpunim me klubet dhe federatat përkatëse të kërkojnë sigurimin shëndetësor, për t’i paraprirë fatkeqësive të ndryshme që ndodhin në këtë fushë. “Sporti, e sidomos futbolli, është një lojë dëmtimesh, ndaj duhet ta parashikojmë pasojën e dëmtimeve. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, por thjesht të ndjekim rregullat që kanë ndjekur shumë vende si ne”, tha Lila, duke kujtuar historinë e një ish futbollisti të Lushnjes që u fut në kredi për të operuar dëmtimin në gju, në Kroaci, e që nuk arriti as të rikthehej në fushën e blertë. “Me kredinë që mori ky futbollist vuri në rrezik tre breza, pasi vuri në garanci shtëpinë e prindërve, ndërkohë që futi në një situatë të rrezikshme ekonomike edhe veten dhe fëmijët e tij”, tha Lila./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!