Është lënë në burg shoferi i “thasëve” me euro të zbuluara në një kamion në Portin e Durrësit. Andon Thanasi, shoferi i trajlerit ku u kapën 500 mijë euro akuzohet për transport të parave të paligjshme dhe të padeklaruara.
Thanasi, nga Tirana u arrestua ditën e shtunë në portin e Durrësit. Ndërkohë, gruaja e tij e ka pritur nga dera e gjykatës së Durrësit ku ai mësoi edhe masën e sigurisë.
Ajo dëgjohet t’i thotë: “Të dua shumë o jetë, mos ki merak për mua.”
Kujtojmë këtu se shuma e parave u gjet në një kamion me targa “TR 2046 U” që transportonte lëndë për prodhimin e këpucëve nga Italia në Shqipëri.
Më herët, Shoferi Andon Thanasi ka mohuar që të këtë dijeni për paratë apo se kush i kishte vendosur ato në kamion, në pako të vogla të shpërndara në disa vende të ndryshme. Gjithashtu, ai u tha oficerëve që të hapin kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit, por edhe të kërkojnë informacion nga Italia.
Efektivet e policisë në Durrës kanë kërkuar informacion nga autoritet italiane në lidhje më këtë çështje dhe po presin përgjigje, për të mësuar më tepër detaje në lidhje më lëvizjet e kamionit në shtetin italian.
Shuma prej rreth 500 mijë eurosh u zbulua nga kontrolli në port pasi u zbulua se në disa vende ai kishte materiale shtese. Dyshimet e para ishin për një shumë të madhe parash, pasi ishin prerje e vogël. Pas numërimit ka rezultuar se janë rreth 500 mije euro. /abcnews.al/