12 personat e arrestuar gjatë operacionit “Maranaj” që zbuloi një skemë fajdesh në Shkodër, do të qendrojnë në qeli. Vendimi është dhënë pasditen e sotme nga gjykata e Shkodrës. Të gjithë i kanë mohuar akuzat në sallën e gjyqit.
Të arrestuarit e operacionit Maranaj në Shkodër hynë njëri pas tjetrit në sallën e gjyqit për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Prokurorja e çështjes Ajola Premçi paraqiti të gjithë provat e siguruara për grupin e skemës së fajdes edhe një audio përgjim nga biseda mes ish-prefektit Paulin Radovani dhe të akuzuarve në lidhje me borxhin.
Të ndaluarit janë shprehur në sallë se audio përgjimi është i montuar. Sipas tyre djemve të ish prefektit u kanë dhënë lekë borxh, pasi kishin marrëdhënie miqësore me të dy.
Më tej ata kanë deklaruar para trupit gjykues se paratë janë dhënë me mendimin se familja Radovani ka biznese dhe lekët do u kthehen.
Të akuzuarit mohojnë që paratë të jenë dhënë me fajde. Pas një seance maratonë në gjykatën e Shkodrës 12 të arrestuarit u lanë në burg.
Ndërsa familjarët e tyre që prisnin jashtë godinës së gjykatës e kanë cilësuar të padrejtë vendimin.
12 personat akuzohen se ushtronin veprimtari të paligjshme të dhënies së parave hua me një përqindje që varionte nga 3-20% siç bën të ditur prokuroria e Shkodrës. Nëse nuk kthehej shuma e huasë brenda një javë, personat e përfshirë në skemë sekuestronin makinat dhe pronat e biznesmenëve që u kishin dhënë para me fajde.
/abcnews.al