Ligjvënësit amerikanë në Kongres po përpiqen të ndalojnë miratimin e shitjes së avionëve luftarakë F-16 në Turqi.
Në një letër drejtuar sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken ata kërkojnë që ai të kundërshtojë blerjen e avionëve të rinj dhe riparimin e atyre ekzistues. Kjo nismë mban firmën e deputetëve Chris Pappas, Gus Bilirakis dhe Carolyn Maloni.
“Në fillim të këtij muaj, u raportua se Turqia kishte kërkuar blerjen e 40 avionëve luftarakë dhe modernizimin e pothuajse 80 prej avionëve të saj luftarak ekzistues”, thuhej në letër .
Më 17 tetor, Erdogan u tha gazetarëve se SHBA ofroi të shiste një grup avionësh por shitja ende nuk është konfirmuar.
Letra nënvizon indiferencën absolute të treguar nga pala turke ndaj ligjit amerikan. Ligjvënësit amerikanë thonë se hyrja e Turqisë në një program të tillë mbrojtës do të dërgonte një mesazh të gabuar nga Uashingtoni.
“Më pak se një vit pas vendosjes së sanksioneve CAATSA, qeveria Erdogan e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të respektojë ligjin amerikan ose të merret me rrethanat themelore që çuan në përjashtimin e Turqisë nga programi F-35 dhe ngrirjen e tregjeve amerikane”, thuhet në letër. /Abcnews.al