“Ligjin e bëj unë”, prokuroria rrëzon policët dhe shpëton Pjerin Ndreun

schedule18:00 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 18:00 - 2 Dhjetor, 2021

Nuk do të ketë hetim kundër kryetarit të bashkisë Pjerin Ndreu. Vendimi është marrë nga Prokuroria e Lezhës. Gjithashtu edhe biznesmeni, pronari i lokalit që u kallëzua u shpëtoi hetimeve, raporton gazetari i ABC, Gjergj Figuri.

Por cfarë ndodhi?

Në muajin Qershor të këtij viti (lexo këtu) dy efektivë të policisë kallëzuan Ndreun dhe pronarin e një lokali për “pengim të ushtrimit të detyrës”.

Në padinë e policëve theksohej se Ndreu ishte pjesë e festës në një lokal në Shëngjin dhe në momentin që i kërkuan atij dhe pronarit të lokalit që të respektonin orën policore dhe të ndalonin muzikën u përballën me fyerje dhe ofendime.

Po sipas tyre Ndreu i pengoi që të shoqëronin në polici pronarin e lokalit, ndërsa më pas kryebashkiaku i cilësoi efektivët “të dehur dhe barkderra”.

“Meqenëse përballë nesh u fut kryetari i Bashkisë, i cili na tha se: “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: “Lëreni mos u merrni më, largohuni prej aty” thuhej ndër të tjera në padinë e policëve në qershor.

Por prokuroria pas verifikimeve që realizoi arriti në përfundimin që nuk ka vepër penale duke mos filluar hetimet për kryetarin e bashkisë dhe biznesmenin./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!