Në Kuvend është dorëzuar nisma e Partisë Socialiste për largimin nga politika dhe institucionet kushtetuese të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
Lidhur me këtë, i ftuar në studion e ABC Live, deputeti demokrat Flamur Hoxha tha se PD duhet ta kishte bërë me kohë reformën që sjell dekomunistizimin. Sipas tij kjo bëhet vetëm me hapjen e plotë të dosjeve.
“Është rasti i vetëm që pas vitit 90 një pastrim i shoqërisë shqiptare nga ata që persekutuan një pjesë të mirë të shqiptarëve. PD do të duhej që të ishte e para të bënte një reformë atë që sot edhe shoqëria po e kërkon. I takon PD të jetë më e ashpër ndoshta edhe pas 30 vitesh në atë që e ka nisur. Gjykoj që i takon secilit deputet se besoj se nuk i takon vetëm një force politike. Siç do shprehet klasa politike tregon vullnetin që ka dashur të bëjë kjo klasë politike”, tha ai.
Sociologu Ergys Mërtiri theksoi se kjo do të sillte pastrimin e politikës. Ai tha se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka dënuar krimet e komunizmit.
“Kjo sjell pastrimin e politikës. Ka 30 vjet që ka ikur diktatura dhe këta akademikë nuk studiojnë diktatorin. Gjëja më me interes që duhet të kishte ky vend. Nuk kemi studime të mirëfillta. Pse nuk ndodh kjo? Nuk janë bëra as filma.
Problemi qëndron tek mos zbardhja e së kaluarës, te mos hapja e dosjeve. Fakti që krimet nuk i kemi dënuar dhe i kemi përreth janë pikërisht ata që i mbajnë peng.
Regjimi i Hitlerit ishte po kaq indoktrinues sa ai i Enver Hoxhës. Por pas rënies, gjermanët studiuan atë periudhë, dënuan krimet dhe bënë denazifikimin e vendit. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi bërë asgjë për hapjen e dosjeve. Vendi me diktaturën më të ashpër nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e krimeve. Trashëgimia vazhdon, krimet nuk zbardhen sepse kriminelët vazhdojnë të na drejtojnë”, tha ai.
Hoxha përforcoi më tej duke thënë se duhet të bëhet hapja e plotë e dosjeve. “Të hapen dosjet e plota. Kur ka marrë dosjen e gjyshit tim kam parë pjesëtarë të organeve të drejtësisë atëherë që edhe pas viteve 90kanë trashëguar pushtet. Këtu unë e them pa problem sepse nuk duhet askush të mos përfitojë nga ajsbergu i dashurisë për jetën që këto familje të mendojë që kjo shtresë është aq shumë tolerante sa ishte pas viteve 90. PD përfaqësohet nga njerëz që vinë nga ato shtresa. U bëj thirrje të jenë më të ashër për të pastruar njerëz që kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit”, tha ai. g.v/abcnews.al