Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se ligji për “Bashkëqeverisjen” nuk duhet të miratohet. Demokrati e quajti edhe njëherë si propagandë, duke shtuar se tregon që reforma e administratës ka dështuar.
Bylykbashi tha se administrata është e mbushur me të paaftë. Sipas tij, kjo agjenci që ekziston prej katër vitesh, të cilën socialistët duan t’i japin fuqinë e ligjit, tregon gjithashtu edhe dështimin e reformës në drejtësi.
“Ky ligj nuk duhet miratuar. Tregon që reforma e administratës publike ka dështuar. Ka dështuar edhe ta depolitizojë dhe ta pastrojë nga koalicioni. Qytetarët e dinë sa të paaftë ka në administratë. Ka pasur gjithmonë por sot ka shumë. Shpesh iu duhet të paguajnë ryshfet që të marrin shërbimin. Dilni dhe thoni se kjo nuk është e vërtetë. Që nuk ka raport që nuk e gropos Shqipërinë për korrupsion e dinë shqiptarët. Ata që janë në administratë sot janë të punësuar për shkak të lidhjeve me PS. Ose kanë dikë të fortë në parti, ose kanë bërë patronazhimin.
Ministri konfirmoi sot se administrata nuk funksionon. Kjo agjencia ka ekzistuar katër vjet dhe ju vini sot me ligj a thua se ligji do ta ndryshojë. Me një superagjenci doni të zëvendësoni një shtet. Nuk ngishte në këmbnë një kalë i ngordhur.
Me këtë ligj po doni të mbuloni që ka dështuar edhe reforma në drejtësi. Thoni ‘qytetar hajeni te agjencia se gjykata nuk ka’. Ky shtet ka Kushtetutë, ligj të shërbimit civil, janë të rëndësishme në hierarki, rregullojnë sesi qeverisen qytetarët. Qytetari kërkon shërbim të drejtë, nëse dëmtohet ankohet ose te organi përkatës ose te gjykatat,” u shpreh Bylykbashi. g.v/abcnews.al