“Ligji për Arsimin e Lartë anti-kombëtar,” Berisha: Të përgjysmohen tarifat e të rriten financimet për kërkime shkencore

schedule17:36 - 27 Prill, 2022

schedule 17:36 - 27 Prill, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha është duke zhvilluar pasditen e së mërkurës një bashkëbisedim me një grup pedagogësh mbi Arsimin e Lartë.

Gjatë fjalës së tij ndër të tjera Berisha u shpreh se arsimi i lartë u ndëshkua “në mënyrën më anti-kombëtare” me kalimin e ligjit për Arsimin e Lartë.

Sipas tij, ky ligj i bëri sistemit të arsimit në vend një dëm të pallogaritshëm, ndërsa solli në vëmendje se opozita nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Ndërsa e cilëson si një ligj shumë larg realitetit shqiptar, lideri historik i demokratëve tregon se me të u mor për dy vite dhe doli në përfundimin që nuk mund të aplikohej ashtu siç ishte.

“Arsimi i Lartë u ndëshkua në mënyrën më antikombëtare nëpërmjet të famshmit ligj. Ishte sponsorizim direkt, mafioz, i Henri Çilit tek Edi Rama. Pasi dështoi me gjithë përpjekjet që të më bindte në ato klauzola që ishin…i bëri vendit një dëm të pallogaritshëm. Dhe i bëri vendit, duke korruptuar atë që i pranoi ligjin. Mjerisht opozita shqiptare, nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Ky ligj ndëshkonte të varfrit e këtij vendi. Një hap të tillë s’mund ta ndërmarrësh kurrë si qeveri. Përkundrazi do bësh çmos, që ky proces të dikojë edhe në luftën kundër varfërisë në zonat e tua të varfra. Me këtë ligj, që ishte larg realitetit shqiptar, u mora dy vite dhe konstatova se për ne nuk mund të aplikohej ashtu siç ishte. U shndërrua në një shpatë për të përjashtuar mijëra të rinj nga mundësia për t’u futur në universitete. Ligji ndërpreu proceset e doktoratave, me qindra bëheshin në universitetet private.”

Ish-kryeministri i cilësoi rrogat e pedagogëve si të mjerueshme ndërsa shtoi se arsimi ka nevojë për ndryshim rrënjësorë të mënyrës sesi trajtohet trupa akademike. Sipas tij është urgjente që të shumëfishohet financimi për kërkimet shkencore dhe mundësisht të përgjysmohen edhe tarifat për studentët. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!