“Ligjet u refuzuan me fuqinë e kartonave”, Tabaku: Hapësira parlamentare e opozitës në limitet e saj

schedule10:41 - 9 Nëntor, 2023

schedule 10:41 - 9 Nëntor, 2023

Deputetja e PD, Jorida Tabaku foli për mediat pas mbylljes së seancës që zgjati 20 minuta, ku projektligjet e propozuara nga opozita u rrëzuan me 75 vota kundër. Tabaku tha se bllokimi i komisioneve hetimore është një shkelje e të drejtave të opozitës dhe se ndodhen në limitet e hapësirës parlamentare.

“Opozita kaq hapësirë parlamentare ka, të propozojë ligje, t’i mbrojë nëpër komisione, t’i diskutojë në seancë por në momentin ku puna një vjeçare pas komisionit hetimor, përfundon me forcën e kartonave, ku rrëzohet çdo iniciativë, qoftë dhe ajo e mirë, besoj se ndodhemi në limitet e hapësirës parlamentare. Hapësira që ka sot opozita për komisionet hetimore dhe për të kërkuar llogari se çfarë po ndodh sot me financat publike dhe me vendimmarrjen për korrupsionit.

Në 8 dhjetor të vitit të kaluar, krahas këtyre ligjeve, kam propozuar dhe ligjin për komisionet hetimore dhe kanë një vit që flenë në sirtar dhe thonë se duhet të miratojmë një ligj të ri që të hapim komisionet hetimore ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë masë për ta miratuar ligjin e ri. Siç thotë dhe progres raporti, puna për të ngritur komisionet hetimore nuk duhet penguar sepse ne kemi një ligj ekzistues. Fokusi sot duhet të jetë, përveç diskutimeve në parlament dhe refuzimit të propozimeve të opozitës, edhe një reflektim për atë që progres raporti publikoi. Në të gjitha fushat kryesore, Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim.“, u shpreh Tabaku.

E pyetur nëse e mbështet sjelljen e opozitës në Kuvend, ku u hodh edhe tymuese, ajo tha: “Unë besoj se progres raporti na dha të drejtë, që shqetësimet për komisionet hetimore janë një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe kjo e drejtë nuk duhet që të shkelet me këmbë. Pastaj secili ka mënyrën e vet sesi e mbështet revoltën. Grupi parlamentar ka vendosur kështu.“/abcnews.al