Komisioni i ligjeve miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet ligjore, të cilat vendosin një trajtim të vecantë të të burgosurve për pjesemarrje në organizata kriminale.
Komisioni i ligjeve ka miratuar nen për nen dhe në tërësi ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”. Në komisionin e zbrazur nga opozita parlamentare, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi ndryshimet që parashikojnë trajtimin e diferencuar të atyre që vuajnë dënim në burgjet e sigurisë së lartë, për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste apo për vepra me qëllime terroriste.
Etilda Gjonaj: “Nëse një person do të arrestohet apo gjykohet për këto vepra penale, ai do vendoset në regjim të posaçëm me kufizim të të drejtave për të parandaluar kontaktet me grupet kriminale, konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare si dhe ndërveprimi me të burgosurit që i përkasin një organizatate apo organziatave me të cilat ata bashkëpunojnë”.
Regjimi i posaçëm i të burgosurve parashikon lejimin e një takimi familjar në muaj, apo kryerjen e nëj bisede telefonike në muaj, ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që vijnë nga jashtë, kontrollin e korrepsondencës etj. Është Ministri i Drejtësisë ai që pas një periudhe njëvjeçare mund të rivlerësojë ekzistencën apo jo të kushteve për vazhdimin e regjimit të posaçëm për të dënuarit ose të paraburgosurit. /abcnews.al