“Lidhje me Rrumin e Shijakut dhe politikanë”, KPK zbardh shkeljet e prokurorit Arjan Ndoja

schedule20:50 - 29 Qershor, 2022

schedule 20:50 - 29 Qershor, 2022

Është zbardhur vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, ndaj të cilit u bë atentat në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i varë shoferi i tij.

Në dosjen prej 45 faqesh, KPK ka evidentuar të gjitha shkeljet e bëra nga prokurori Arjan Ndoja.

Ajo që bie në sy në raportin e KPK, janë kontaktet që ka patur Prokurori Ndoja me njerëz të politikës dhe drejtësisë, por dhe me personazhe të botës së krimit siç është ai me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, person me precedentë kriminalë.

Në dosje thuhet gjithashtu se Prokurori Ndoja ka ushtruar ndikim të paligjshëm duke favorizuar persona me precedent penal.

Pjesë nga vendimi i KPK:

DSIK-ja, me shkresën nr. *** prot., datë 1.12.2020, vuri në dispozicion të Komisionit raportin e rishikuar mbi kontrollin e figurës për subjektin e rivlerësimit Arian Ndoja, i deklasifikuar pjesërisht me vendim nr. *** prot., datë 9.12.2020, të KDZh-së, në përmbajtje të të cilit referohet se: “Në vijim të informacioneve të ardhura nga institucioni i verifikimit, në kohështrirje gjatë periudhës së rivlerësimit për përfshirje në korrupsion pasiv të subjektit të rivlerësimit Arian Z. Ndoja, në disa raste rezulton se:

– gjatë periudhës në të cilën z. Arian Ndoja ushtronte detyrën si prokuror, në vitet 2018-2019, dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm, duke favorizuar persona me precedent penal;

– për prokurorin Arian Ndoja, disponohen të dhëna, ku vihemi në dijeni se në vitet 2009 – 2010 ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Autoritetet verifikuese informojnë, gjithashtu, se:

– shtetasi A. L. (P./L. M., ‘***’) evidentohet si lidhje bashkëpunuese e Arian Ndojës, i cili sinjalizohet se është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit aktiv, si dhe ka ndikuar në caktimin e trupës gjykuese në një proces civil, për një çështje pronësie, për favorizimin e një pale;

– në ngarkim të shtetasit A. L., alias P. M. (‘***’), administrohen të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme për përfshirje/pjesë e krimit të organizuar …;

– po kështu, shtetasi ….sinjalizohet si lidhje e pakonfirmuar e Arian Ndojës dhe dyshohet si lidhje e personave të… Për subjektin e rivlerësimit Arian Ndoja, referuar burimeve të hapura mediatike të datës

1.11.2019, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zonën e Sh***, ku subjekti i rivlerësimit mbeti i plagosur nga një atentat me armë zjarri, rezulton se ka qenë i shoqëruar në makinë me shtetasin A. L., lidhje shoqërore e z. Arian Ndoja. Ky shtetas, rezulton të jetë person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Aktualisht kjo ngjarje është në hetim nga ana e Prokurorisë së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.