Në Shkup vazhdon që prej orës 17:00 takimi i presidentit Stevo Pendarovksi me liderët politikë, takim i thirrur nga kreu i shtetit, pas mos-marrjes së datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Përveç vendimit të Këshillit Europian që refuzoi hapjen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, në takim liderët po bisedojnë edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat një ditë më parë i kërkoi kryeministri Zoran Zaev.
Gazetarja e ABC News në Maqedoninë e Veriut, Xhumadije Ibrahimi, raportoi se në orën 19:00 ka përfunduar pjesa e parë e takimit. Presidenti Pendarovski iu drejtua publikut dhe tha se gjatë asaj pjesë të mbledhjes u bisedua rreth negociatave me BE-në dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Presidenti i ka kërkuar liderëve që të punojnë për të çuar përpara reformat.
Gazetarja raportoi se në pjesën e dytë të takimit pritet të bisedohet rreth zgjedhjeve të parakohshme, më konkretisht rreth caktimit të datës në të cilën ato do të mbahen. Pro mbajtjes se këtyre zgjedhjeve janë shprehur të gjitha partitë politike në vend.
Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, nëse arrihet një dakordësi për këto zgjedhje Presidenti i vendit shpërndan parlamentin dhe me dakordësi politike krijohet një qeveri tranzitore që çon vendin në zgjedhjet e parakohshme.
Në takim po marrin pjesë kryeministri dhe lideri i LSDM, Zoran Zaev, kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, kreu i BDI, Ali Ahmeti, lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami, ai i Alternativës Afrim Gashi dhe lideri i PDSH, Menduh Thaçi./abcnews.al