Licencimet për garat Europiane, shtatë klube ngelin në klasë

schedule18:44 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 18:44 - 20 Dhjetor, 2019

Tre klube, nga 10 në total, në Kategorinë Superiore janë në rregull me kriterin financiar për licencimin. Të paktën deri në momentin aktual. Sipas burimeve afër Federatës Shqiptare të Futbollit, klubet e Kukësit, Laçit dhe Partizanit kanë dokumentacion të rregullt financiar.

Pjesa tjetër është një histori më vete, ku nuk ka Zot të ulet e të bëjë të mundur kualifikimin e kriterit financiar. Natyrisht që ka një afat të fundit, që është data 31 mars deri në mbylljen e plotë të dokumentacionit, por në konstatimin e deritanishëm, nga 10 klube në Superiore, vetëm 3 prej tyre i  kanë letrat në rregull. Klubet e tjera kanë dokumentacionin në përpilim e sipër.

Një pjesë e mirë e klubeve kanë çështje të hapura me organet tatimore, ku detyrimet fiskale ndaj shtetit kanë kohë që nuk janë zeruar. Kjo konsiderohet një problem serioz, duke shtuar gjithashtu edhe borxhet me palë të treta, në rastin konkret me ish-futbollistë që kanë fituar gjyqet dhe që presin zbatimin e vendimit dhe likuidimin.

Nëse kampionati mbaronte sot, pavarësisht pozicionit në renditje, vetëm këto tre klube do të luanin në Europë. Sidoqoftë, klubet me çështjet financiare ende të pazgjidhura kanë ende edhe një tremujor kohë përpara se të dorëzojnë gjithçka të deklaruar në limitin kohor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!