Librat e ndaluar, censura e autorëve dhe përkthyesve nën diktaturën 1948-1987

schedule22:29 - 1 Mars, 2020

schedule 22:29 - 1 Mars, 2020

Për herë të parë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë  prezanton  përmes një ekspozitë librat e ndaluar për publikun gjatë komunizmit.

Përmes një materiali të zgjeruar ju ftojmë të njiheni me historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore të urdhëresave mbi ndalimin e autorëve fshirjen e emrave të redaktorëve ose përkthyesve,  si dhe asgjësimin e librave për karton, nga  viti 1948- 1987.

Historia e leximit nën diktaturë ka ecur në shinat e absurdit, ashtu si masa shtrënguese e pushtetit, e cila kontrollonte çdo frymarrje lirie.

Librat e ndaluar dhe dokumentat që i ndalojnë ato, përherë të parë bëhen bashkë në një ekspozitë në Bibliotekën  Kombëtare.

Vendimi i gjykatë i publikuar në gazetën Bashkimi, rendit një sërë autorësh si Fishten, Ernest Koliqi, Mid’hat Frashëri, Konica, etj.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare thotë se pas këtij vendimi, censura shtrihet ndër autorë, redaktorë dhe përkthyes.

“Në atë kohë kemi akoma një logjikë legaliste, librat ndaloheshin me vendim gjykate. Ka libra që ndalohen për arsye absurde sepse brenda është emri i një eleminti të shpalljes armik”, u shpreh ai.

Persida Asllani, rreshton autorët shqiptarë të përjashtuar nga magjia e të lexuarit.

“Është dashur gjithmonë ti shpjegoj studentëve që Fishta ka qenë i ndalur, Konica ka qenë i ndaluar, Mjeda i ndaluar në disa aspekte”, tha Asllani.

Censura, nuk kurseu as personazhet e vetë partisë, pasi ato shpalleshin armiq të popullit thekson studiuesi Sokol Cunga, e kjo e bazuar në dokumenta që ruhen në Arkivin e Shtetit.

“Dokumentet që arrita të evidentoj mbërrijnë deri në vitin 1987. Periudha më e nxehtë e kësaj censure është periudha e vitit 1973 dhe periudha e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. E gjithë familja e Shehut shpallen armiq”, tha Cunga.

Të njëjtin fat patën edhe shumë autorë të huaj, ose sipas Asllanit ata  nuk vinin të plotë, cungoheshin  me kapituj të tërë.

“Kur studentët lexojnë sot Stendal ne u themi se ishte i ndalur, ato nuk arrijnë të gjejnë arsyet se përse ishte e ndaluar. Studiuesit sot flasin për fakte interesante. Tekstet vinin të gjymtuar, i janë hequr kapituj kur flitej për religjozitetin”, tha Asllani.

Librat të cilët ishin me fat, korigjoheshin, ndërsa në listat e zeza kishte shume për karton, ose asgjësime.

“Jo të gjithë librat që përshkruehën në listat e ndalimit gjendet në vitrina sepse janë asgjesuar”

Botimet e Kosovës deri në vitin 1990 ishin të kyçur për lexuesit.

Por censura herë shtrengonte, e herë lironte. Në vite të ndryshme, ajo kishte qasje të ndryshme për të njëjtën vepër.

Leximi i romaneve të ashtuquajtur të verdhë, fshehurazi ishte fenomen i njohur aso kohe, por Piro Misha, thotë se librat që  atij i nevojiteshin, për punë nga fondi i huaj i merrrte me autorizim nga redaksia.

Lufta kundër besimit fetare reflektohet edhe në libra, por ky fenomen nuk kurseu as piktorët.

Libri i Petro Markos, “Rrugë  pa rrugë” hiqet nga qarkullimi  me motivacionin për frymë liberale dhe skena erotike në vepër.

Fati më i keq është për personat të cilët dënohen për arsye politike.

Libri përdoret për propagandë në diktaturë.

Nga njëra anë, shpenzoheshin shuma të mëdha për blerjen e fondit të librit të huaj, absurde ata rrinin të mbyllur, ose jepeshin me autorizim për studiuesit.  Ky ishte një kurth që përdorej ndaj studiuesve.

“Ishte një kurth i bukur, teksa studiuesit i jepet e drejta të konsultohet me botimin e ndaluar për të tjerët është përgjegjësi e tij mënyra se si do ta përdori”.

Studiueja Persida Asllani, i referohet edhe kodeve që ishin për punonjësit e bibliotekës dhe studiuesit.

Ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm” prezantonë për herë të parë emrat e autorëve dhe veprat e censuruara, si dhe  fshirjen e emrave të përkthyesve, redaktorëve apo hedhjen e librave për karton.

E gjitha e faktuar  përmes dokumenteve arkivore dhe urdhëresave për ndalimin e qarkullimit të botimeve nga Ministria e Arsimit të kohës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!