PRISHTINË- Parlamenti Evropian (PE) këtë të martë dha dritën e jeshile për liberalizimin vizave për Kosovën, një hap ky aq shumë i pritur prej vitesh.
Analisti nga Prishtina, Ardian Arifaj, këtë ngjarje e cilësoi një zhvillim të vonuar, por të merituar për të gjithë qytetarët. Sipas tij, qytetarët e Kosovës po manifestojnë një gëzim të heshtur, pasi për të hyrë në fuqi ky vendimit, fillimisht duhet pritur 1 janari i 2024.
“Është një lajm aq shumë i pritur dhe aq shumë i dëshiruar. Na kanë sjell edhe zhgënjime dhe shumica e qytetareve janë të gëzuar, por me një dozë rezervë, sepse të gjithë po e presin 1 janarin. Në rastin e Kosovës çështja e vizave ka qenë politizuar, për presion politik mbi Kosovë. Ka katër vite që Komisioni ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizmin, por nuk është marrë sot, dhe këto kanë qenë për arsye politike dhe jo se Kosova nuk ka plotësuar ndonjë kusht. Kjo i ka zhgënjyer njerëzit dhe ka bërë që edhe gëzimi të jetë më I heshtur dhe jo siç kemi parë në të kaluarën. Vendim i merituar, por I vonuar, por qytetarët janë duke e pritur 1 janarin me shpresën që gjatë rrugës nuk do dalë diçka që do ta ndalojë këtë vendim për të lëvizur pa viza në Europë.”, tha ai.
Gjatë intervistës për “Ballkan Update” në ABC News, analisti tha se çështja e liberalizimit është përdorur si mjet politik nga BE për ta bindur Kosovën të jetë konstruktive në proceset e ndërmarra, përfshirë këtu dhe dialogun me Serbinë.
Arifaj thotë se veprimet e disa partive politike në vend kanë ndikuar që procesi i liberalizimit të vizave të ketë vonesa.
“Përfundimisht po. Ka qenë një proces i politizuar kohët e fundit dhe është përdorur për ta bindur Kosovën që të tregohet konstruktive në proceset e saj, qoftë këtu dhe dialogu. Marrëveshja e Ohrit ka ndikuar të zbehet rezistenca ndaj kësaj vendimi dhe të shtyhet para ky vendit. Ka qenë edhe ngritja e ekstremit të djathtë në Evropë, që e ka penguar këtë proces. Sjellja e disa partive politike në Kosovë, literalisht dhuna, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në kohën kur pritej liberalizimit të vizave, kanë qenë arsyet e para që e kanë vonuar vendimin dhe më pas janë shtuar çështjet e tjera”, tha ai.
Mes tjerash, Arifaj, i cili është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë komentoi marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ai shprehet se përveç zotimeve verbale të artikuluara nga palat që janë të përfshira në proces, nuk ka asnjë zbatim konkret në terren.
“Kemi zotime verbale, por nuk jemi duke parë hapa konkretë që vërtet të fillojë implementimi i marrëveshjes së Ohrit. Kanë kaluar më shumë se 30 ditë dhe nuk kemi parë asnjë hap në implementimin e marrëveshjes dhe nuk po shohim se afatet kohore po respektohen nga dikush”-u shpreh ai./n.m.abcnews.al