Libani, një Gazë e dytë? Meçollari: Një sulm tokësor do të çonte në përshkallëzim, armëpushimi është i domosdoshëm

schedule16:25 - 26 Shtator, 2024

schedule 16:25 - 26 Shtator, 2024

Izraeli ka refuzuar propozimet për armëpushim me Hezbollahun – grupin libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – nga aleatët, përfshirë nga Uashingtoni, të cilët kanë kërkuar ndalim të luftimeve për tri javë, në mënyrë që të mundohet të gjendet një zgjidhje diplomatike për të shmangur zgjerimin e luftës.

Ish-zëvendëskomandant i Forcës Detare, Artur Meçollari në emisionin “Faqja 4” në ABC News foli për konfliktin në Lindjen e Mesme, duke u ndalur edhe tek paralajmërimi i Netanyahut për një sulm tokësor në Liban.

Ai u shpreh se një sulm tokësor i Izraelit ndaj Libanit do të çonte në përshkallëzim. Gjithashtu Meçollari shtoi se kufiri midis Izraelit dhe Libanit është i monitoruar nga OKB.

“Një sulm tokësor ndaj Libanit do të fusë aktorët shtetërorë si qeveria dhe shteti i Libanit në konflikt. Gjithsesi nuk besoj se do të ndodhë, më shumë më duket si presion pasi Hezbollah ka ndikim në qeverinë e Libanit. E them këtë se kundërshtar I tij nuk do të ishte vetëm Libani, por edhe rezoluta e OKB. Nëse Izraeli do të rezultonte një operacion tokësor do të ishte një thyerje e rëndë nga ana e rezolutës”, tha Meçollari.

Më tej ai shtoi se Izraeli në parim duhet të kishte pranuar armëpushimin dhe kjo do t’i jepte mundësinë izraelit që të tregonte se është për paqe. Meçollari nënvizoi se Izraeli gëzon të drejtën e vetëmbrojtjes duke minimizuar dëmet në popullsi, ndërsa theksoi se Hezbollah nuk vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Netanyahu duket që është i avancuar në lidhje me raportet apo zhvillimin e luftës, dhe më duket jo e drejtë nga ana e Netanyahut të refuzojë një armëpushim qoftë edhe në parim. Izraeli është I detyruar të marrë masa parandaluese për dëmin që mund të shkaktohet ndaj një popullsie. Irani për momentin nuk besoj se ka mundësinë apo tendencën për t’u përfshirë. Irani është i dobët ushtarakisht. Mendoj që kthesa mund të jetë Libani. Libani mund të ndryshojë situatën, kam përshtypjen që i gjithë presioni ndërkombëtar apo dhe I izraelit duket deklaruar që do të ketë një operacion tokësor është që humbja e Hezbollah të vijë edhe brenda Libanit”, tha ndër të tjera Meçollari, duke shtuar: “Por që të arrihen negociatat duhet që një nga palët të ketë humbur shpresën e fitores. Palët duket sikur veprojnë për arritjen e një paqe, por paqja duket se është shumë larg”.

/abcnews.al/