Në fund të Luftës së parë Botërore, Libani ka qenë nën administrimin ushtarak francez deri në vitin 1942. Më pas, në vitin 1943 Gjenerali francez Georges Catroux, shpalli pavarësinë e Libanit, i ndihmuar edhe nga Britania e Madhe. Megjithatë, Libani pavarësinë totale e fitoi në vitin 1946, sepse qeveria franceze e kohës nuk donte të hiqte dorë tërësisht nga kontrolli i një prej kolonive të saj.
Aktualisht në Libanin e plagosur rëndë nga tragjedia e shpërthimit në Beirut, janë mbledhur më shumë se 50 mijë firma brenda 24 orëve të fundit, për ta vene sërish vendin nen protektoratin e Francës.
Presidenti Emmanuel Macron, mbërriti në Beirut të enjten për të treguar solidaritetin e Francës ndaj Libanit, gjithashtu aleat i shtetit francez në Lindjen e Mesme. Macron u shpreh se Libani do të marrë gjithë mbështetjen e nevojshme nga Franca, pas shpërthimeve të mëdha që kanë shkaktuar dëme katastrofale në ekonominë dhe në shoqërinë e vendit.
Peticioni, dhe shpejtësia e mbledhjes së firmave në më pak se një ditë është tregues i qartë i frustrimit të popullit libanez, prej paaftësisë totale të qeverisë për t’i dhënë siguri qytetarëve të saj, dhe për të menaxhuar vendin e zhytur prej vitesh në luftëra civile, kriza ekonomike dhe në korrupsion./abcnews.al