Lëvizja Vetëvendosje vazhdon përpjekjet për të tejkaluar krizën e brendshme. Aktualisht, Albin Kurti është kandidat i vetëm për të marrë drejtimin e kësaj partie.
Tre orë ka zgjatur mbledhja e kryesisë së Vetëvendosjes, në të cilën është diskutuar për tejkalimin e krizës së brendshme që ka përfshirë këtë parti. Deputeti Albin Kurti nuk ka dhënë asnjë sqarim para gazetarëve lidhur me mbledhjen, ku nuk morën pjesë anëtarët e dorëhequr nga kjo parti. I vetmi që foli ishte Ismajl Kurteshi, i cili nuk dha shumë detaje.
Ismajl Kurteshi, deputet i Vetëvendosjes: “Ju njoftoj që kryesia e VV ka përfunduar mbledhjen e saj dhe ka marrë këto vendime: ne e përkrahim letrën e 82 aktivistëve të VV nga diaspora dhe e cila është publikuar, por që nuk e kam ndërmend të flas këtu dhe kryesia e ka mirëpritur rikthimin e anëtares së kryesisë Albulena Haxhiut e cila kishte dhënë dorëheqje para disa muajve”.
Ndërkohë, Albin Kurti është kandidati i vetëm zyrtar që garon për të marrë drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa për shkak të përçarjes, u shtuan dhe largimet nga kjo forcë politike./abcnews.al