Dëmtimet në autostradën Levan – Tepelenë janë serioze dhe kalimi i mjeteve në rrugën e vjetër të Ballshit do të marrë kohë. Por gjendja e saj është aq e rëndë saqë levizja e tyre bëhet me vështirësi.
U duk si rrëshkitje dheu por është më shumë se kaq. E gjithë kodra në afërsi të Fratarit në austostradën Levan Tepelenë mund të shembet. Zhvendosja e gurëve të rënë nuk bën dobi. Zgjidhja e kësaj situate kërkon ndërhyrje në dy fronte. Njëri ku po hapet kalimi anësor ose by pass-i dhe tjetri ku do të nisë shëmbja e pjesës së dëmtuar të kodrës. Për këtë të fundit pritet përfundimi i by pass-it.Udhëtarët janë të detyruar të kalojnë nga rruga e vjetër Fier-Ballsh. Kjo e fundit e braktisur dhe e pafrekuentuar që prej hapjes së autostradës, ka degraduar duke u bërë e pakalueshme për automjetet
Bllokimi i rrugës nga masivi i gurëve ndodhi javën e shkuar pas reshjeve të dendura të shiut. Autoriteti rrugor deklaroi se kjo rëshkitje është e përmasave të mëdha duke imponuar një ndërhyrje të mirë studiuar. Nuk dihen shkaqet e dëmtimit të kodrës, por gurorja që ndodhet pranë saj mendohet të ketë ndikuar në çarjen e kodrës në thellësi.
Përgatiti: Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier