Letra drejtuar Holandës, Arqipeshkvi George Frendo: Kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve?

schedule19:47 - 9 Tetor, 2019

schedule 19:47 - 9 Tetor, 2019

Kisha katolike ka reaguar ashpër ndaj 8 ministreve, të cilat nëpërmjet një letre i kërkonin Holandës të votojë pro hapjes së Negociatave të Shqipërisë me BE. Sipas imzot George Frendos, deklarata e 8 ministreve se e çmojnë Holandën nuk duhet bërë në emër të të gjithë shqiptarëve. Arqipeshkvi, në reagimin e tij, solli në vëmendje disa nga ligjet kundër familjes që ka miratuar Holanda, si aborti dhe martesa mes personave të së njëjtës gjini.

Arqipeshkvi i metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo ka reaguar kundër letrës që tetë gra ministre të qeverisë i drejtuan qeverisë së Holandës për çeljen e negociatave. Në tekstin e publikuar në faqen zyrtare të Arqipeshkëvisë lexohet edhe indinjata e fortë e imzot Georgo Frendo i cili u drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësueseve të qeverisë.

“Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave? Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Holandës që ka legalizuar martesën e së njëjtës gjini”, shprehet imzot Frendo.

Në mesazhin e tij, Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit kujdeset t’i kujtojë përfaqësuesve të qeverisë se për shqiptarët familja është dalluar si një bërthamë e qëndrueshme duke kërkuar që të jenë të parat përfaqësueset e qeverisë që të nxjerrin në pah këto vlera.

“Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?

Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë”, thotë Arqipeshkvi.

Me doza të forta kritike ndaj përfaqsueseve të qeverisë u shpreh edhe Myftiu i Tiranës, Lauren Luli. Ai  i kujtoi qeverisë se për vonesat drejt Europës nuk janë përgjegjës shqiptarët, por klasa politike.

“Vonesat drejt kësaj rruge nuk janë përgjegjësi e popullit, por e atyre që kanë marrë përgjegjësi publike për të çuar në destinacion këtë mision. Europa është qytetërimi i vlerave, shtetit të së drejtës dhe lirisë! Europa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Europës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato. Njerëzit me përgjegjësi publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm në komunikimin e tyre me Europën dhe shtete të veçanta të saj. Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishtë mbi 5-mijë. Ky është një krim! Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare”, thotë Luli.

Një ditë më parë, përmes një letre 8 përfaqësuesit femra në kabinetin e Edi Ramës i kërkuan parlamentit dhe qeverisë së Holandës që të mos bllokojë negociatat për Shqipërinë.

/ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!