Letërporosi Italisë, Holandës dhe Belgjikës për prangosjen e Enver Bajrit

schedule15:31 - 24 Shtator, 2018

schedule 15:31 - 24 Shtator, 2018

Për kapjen e Enver Bajrit i vetmi që shpëtoi nga operacioni blic i RENEA-s pak ditë më parë, Policia e Shtetit ka kërkuar bashkëpunimin e homologëve të saj italianë, belgë dhe Holandës pasi dyshohet se fshihet në këto vende.

Enver Bajri i konsideruar si drejtuesi i grupit kriminal që operonte kryesisht në fushën e trafikut të narkotikëve dhe gjobëvënies në Belgjikë dhe sëfundmi edhe në Shkodër, është i vetmi që i shpëtoi prangosjes së policisë gjatë aksionit të kryer pak ditë më parë.

Dyshimet kryesore janë se 45-vjeçari është larguar nga territori ynë dhe në këtë mënyrë, Policia e Shtetit kërkon ndihmën e homologëve italianë, belgë dhe Holandës. Letërporositë janë dërguar në këto tre shtete ku edhe kishte influencën kryesore, edhe trafikun e prostitucionit së bashku me personin tjetër që është shpallur në kërkim me inicialet N.H.

Ndërkohë Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, FNSH e Shkodrës kanë ushtruar kontrolle të befasishme në Laç dhe në Lezhë, ku dyshohet se fshihen anëtarë të tjerë të bandës së “Bajrit”.

Në fokus të operacioneve kanë qënë makinat luksoze, të cilat nuk i kanë shpëtuar kontrolleve të Forcave Speciale në këto dy qytete.

Gjatë aksionit në Laç e Lezhë janë kontrolluar rreth 50 mjete luksoze si dhe janë shoqëruar për verifikim 22 persona. Prej disa ditësh, FNSH dhe policia janë duke ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetet më problematike të vendit, me qëllim parandalimin e akteve kriminale si edhe arrestimin e personave në kërkim.

Të premten u prangos Safet Bajri në Tiranë në ambientet e një bilardoje, ndërsa në pranga kanë rënë të total 11 persona të grupit ‘Bajri’. Të arrestuarit përfshirë Safet Bajrin akuzohen në Shqipëri për vrasje, gjobëvënie ndaj bizneseve, kërcënim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!