Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Letër-amaneti i fundit i akademikut Rexhep Qosja

schedule18:10 - 23 Prill, 2026

schedule 18:10 - 23 Prill, 2026

Ademiku Rexhep Qosja para se të ndahej nga jeta ka lënë pas një letër ku ka shprehur amanetin e tij të fundit për nipin e tij Valjetin. Qosja shkruan se nipi u kujdes për të dhe se kërkon që ai të merret edhe me varrosjen e tij.

Në letër ai thekson se ceremoninë mortore e do pa ritual fetar dhe të pranishëm të jenë vetëm familjarët e tij. Tjetër kërkesë e tij në letër është se ai e do ceremoninë mortore pa fjalime, pa media, pa lule dhe afër varrit të gruas së tij, Shpresës.

Duhet theksuar se ky amanet i fundit është përmbushur, pasi Qosja sot u përcjell në banesën e fundit pa praninë e mediave dhe me një ceremoni private.



Qosja u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe letërsisë shqiptare, me një karrierë të gjatë akademike, letrare dhe publike në Kosovë dhe më gjerë.

Letra e plotë e Qosjas:

Një letër për fundin. Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.

Valjeti, NIPIT TIM VALJETIT I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!