Deputeti Flamur Noka është mbështetësi më i zjarrtë i ish-kryeministrit Sali Berisha. Që prej 9 shtatorit, kur Lulzim Basha njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, ai kundërshtoi ashpër këtë vendim dhe u pozicionua krah ish-kryeministrit.
Prej asaj dite Noka është një ndër më aktivët në grupimin e Berishës, ndërsa vazhdimisht hedh akuza ndaj Lulzim Bashës, duke e cilësuar si të shitur te Edi Rama.
Noka është gjithashtu në mesin e të përjashtuarve në Partinë Demokratike, ndërsa në seancën e sotme në Kuvend ishte i ulur në rreshtin e fundit, krah Sali Berishës.
Sakaq, kamerat në Kuvend kanë fiksuar sot celularin e tij, ndërsa bien në sy bisedat, ku shihet teksa ka komunikim me kundërshtarët politikë.
Në aplikacionin “Whatsapp”, Noka ka komunikuar sot me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. Biseda mban orën 12:17, kohë kur zhvillohej seanca plenare. “Lëre edhe njëherë Berishën për procedurë”, lexohet t’i ketë shkruar Noka, kryeparlamentares. Po ashtu ai ka komunikuar edhe me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. g.v/abcnews.al