Partizani pritet të ketë një ndeshje të lehtë në Superligë ndaj Flamurtarit në kryeqytet. Trajneri Lerda nuk e pranon diçka të tillë, ndërsa mohon të ketë pasur sherre në skuadrën e tij.
Ditët nuk janë të lehta as pas një fitoreje. Partizani u kthye me triumf nga Gjirokastra, veçse trajneri Franko Lerda vazhdon të jetë nën presion, diçka që po ndodh edhe në prag të duelit me Flamurtarin, këtë të diel në “Selman Stërmasi”.
Një ndeshje në letër e lehtë, por italiani nuk e pranon një gjë të tillë, ndërsa pyetet edhe për fitoren e titullit.
“Shpresojmë. Ky është objektivi ynë. Është e qartë se është një sezon i ndryshëm, një kampionat i ndryshëm, mjaft lojtarë të ndryshëm, qoftë tek Partizani apo në skuadrat e tjera. Formacionet kanë ndryshuar. Rezultatet e vetëm dy ndeshjeve nuk mund të jenë tregues për vazhdimësinë tonë të kampionatit. Ne duhet të mendojmë vetëm për atë që duhet të bëjmë vetë. Kundërshtarët janë të ndryshëm, ka më shumë cilësorë, më pak cilësorë. Tani kemi Flamurtarin, që nuk do të jetë e lehtë ta mundim. Duhet t’i respektojmë të gjithë, por duhet të merremi me punët tona, dhe t’i bëjmë sa më mirë”, tha ai.
Çfarë po ndodh në skuadrën kampione?
Më parë, pati konflikt të trajnerit me njerëz të stafit, ndërsa tani flitet për sherr mes Telushit e Melos.
“Nuk di se çfarë shkruhet në gazeta, pasi nuk di të lexoj. Apo më saktë, nuk lexoj. Sipas mendimit tim nuk ka ndodhur asgjë, nuk kam parë asgjë, nuk di se çfarë mund të ketë ndodhur pas ndeshjes. Nuk di se kush ua ka thënë, por duket se ka gabuar. Nuk di se çfarë mendimi keni ju për Partizanin e madh. Shoh se skuadra përmirësohet, luan një futboll shumë të mirë, i dominon ndeshjet. të gjithë janë pjesëmarrës, nga portieri deri tek sulmuesi. Për mua, jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Lerda.
Lerda jep lajmin e mirë se Solomon do të jetë në fushë, pasi e ka shlyer financiarisht pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga Disiplina. Flamurtari, ndërkaq, ndodhet në një pozicion shumë më të vështirë, pas dy humbjeve. Trajneri Sadedini përpiqet t’i bëjë thirrje krenarisë së emrit Flamurtar.
“E dimë ndeshjen me të gjitha vështirësitë që ka. Partizani është kampioni. Do përpiqemi që me mundësitë tona të nxjerrim ndeshjen sa më mirë. Në këto momente jemi të kënaqura dhe me një pikë, por gjithmonë në futboll nuk i dihet dhe flamurtari është ekip që loz për fitore”, tha Sadedini./ABC News Albania 24/7