Partizani është gati për t’u përballur me Bylisin, nesër prej orës 16:00. Sot ka dalë në konferencë trajneri Franco Lerda, i cili ka paralajmëruar lëvizje në formacion. “Mund te këtë disa ndryshime, por më parë duhet të vlerësoj gjendjen fizike të lojtarëve. Gjithçka do ta vlerësoj gjatë ditës së nesërme. Mendoj se do të ndryshojë diçka në organikë”, u shpreh italiani fillimisht.
Lerda e di që ballshiotët janë në formë dhe i vlerëson maksimalisht: “Bylisi është një skuadër që do të ketë vëmendjen maksimale nga ne. E kam ndjekur në dy takimet ndaj Skënderbeut dhe Kukësit. Duhet të bëjmë një ndeshje shumë agresive dhe të kemi durim. Ata vrapojnë shumë, por në fund duhet të marrim tre pikët. Është një kundërshtar delikat”.
Italiani më tej thekson se këtë sezon presioni është më i madh se vjet: “Kur luan për Partizanin dhe je kampion, atëherë ke më shumë presion se të tjerët. Sezonin e shkuar Partizani kishte më pak presion, pasi nuk u nis me objektivin e titullit kampion. Ne duhet ta mbrojmë titullin”.
ASANI – “Nuk më intereson se çfarë flitet për vendimet që marr. Vendos sipas asaj që shoh në fushën e lojës. Nuk dua të humbas kohë dhe energji duke u marrë me këtë temë. Ka harmoni, por diçka e tillë ndodh në skuadra. Në skuadrën tonë ka futbollistë shqiptarë, latin apo afrikan dhe ne mundohemi të punojmë dhe të menaxhojmë këtë pjesë. Puna ime është të menaxhoj grupin. Lojtarët duhet të zbatojnë rregullat që vendosen dhe kjo është detyra ime. Kush lojtar nuk zbaton rregullat dhe detyrat në fushën e lojës, mendoj se ky nuk është problemi im.”
KRITIKAT E TIFOZËVE -“Ne kërkojmë të bëjmë më të mirën, të fitojmë gjithmonë. Ne si staf kërkojmë të përmirësohemi. Tifozët kanë të drejtë, pasi ata paguajnë biletën dhe kanë të drejtë të na gjykojnë dhe kritikojnë”.
FRIKË NGA TIRANA – “Nuk kam kohë që të shoh Tiranën dhe kam parë vetëm një pjesë loje. Nuk kemi pse ti druhemi Tiranës. E kam ndjekur vetëm një ndeshje dhe i kam sjellë fat ndaj Luftëtarit, pasi ka fituar 3-0. Megjithatë duhet ta përgëzojmë, pasi gjendet në vendin e parë. Objektivi dhe fokusi ynë është ndeshja ndaj Bylisit”. /abcnews.al