Lerda: Nuk ishte hap fals, s’ka ndeshje të lehta në Superiore!

schedule18:54 - 10 Nëntor, 2019

schedule 18:54 - 10 Nëntor, 2019

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, foli menjëherë pas ndeshjes kundër Flamurtarit, që u mbyll me rezultatin 1-1. “Demat” lanë dy pikë në këtë sfidë dhe në fjalën e tij për Supersport, Lerda u shpreh: “E kemi thënë që nuk ka ndeshje të thjeshta. E kemi peng, pasi kishim avantazhin dhe katër apo pesë raste të tjera. Nuk arritëm të shënonim, duhej më shumë cinizëm. Megjithatë, ky është futbolli”.

RENDITJA – “Nuk është momenti që unë duhet të shikoj klasifikimin. Renditjen e shoh në fund të kampionatit. Sot lamë dy pikë, kjo më shqetëson, por jo renditja. Kampionati është i gjatë dhe renditjen do e shikoj vetëm në fund”.

HAP FALS – “Nuk ka asnjë hap pas në këtë ndeshje. Kush nuk e kupton futbollin, mund të thotë që është një hap mbrapa për Partizanin. Unë e kam thënë dhe para ndeshjes, Flamurtari është një skuadër e fortë, pavarësisht renditjes. Ky është futbolli, unë nuk e shikoj si hap mbrapa të Partizanit. Nuk ishte as hap fals! Mund të fitonim, por morëm një pikë”.

STATISTIKAT – “Natyrisht, kemi peng për pikët e lëna. Patëm mundësitë tona, patëm shumë raste, duhet të finalizonim. Flamurtari me shumë më pak raste, shënoi. Sot i kishim mundësitë për të shënuar, por nuk ia dolëm”.

SULMI – “Ekuban ka një dëmtim në kavilje dhe nuk mund të luajë. Edhe Salomon i ka pasur minutat e reduktuara për shkak të disa problemeve. Duhet edhe pak fat për të shënuar, por duhet punuar më shumë që të shkojmë te goli dhe këtë gjë do të bëjmë”.

MBROJTJA – “Nuk duhet të përmirësojmë asgjë. Jemi mbrojtja e dytë më e mirë në Superiore, por sot tentuam gjatë gjithë kohës të merrnim fitoren dhe normalisht që lamë disa hapësira”, përfundoi Lerda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!