Franco Lerda, pas fitores që Partizani mori me Skënderbeun, foli në një lidhje direkte në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Italiani normalisht i gëzohet triumfit dhe marrjes së kreut nga skuadra e tij.
VENDI I PARË – “Jam i kënaqur për fitoren dhe vendin e parë, si dhe për djemtë që ia dolën të fitonin. Kampionati është i ekuilibruar. Duhet shumë impenjim në çdo ndeshje. Nuk mendojmë për klasifikimin, por për ndeshjen e radhës. Kemi një ndeshje të vështirë me Kukësin dhe duhet të jemi gati”.
ZOTËRIMI I TOPIT – “Kemi bërë mirë, kemi mbajtur topin. Ishim pak egoistë në pasimin e fundit dhe duhet të punojmë për këtë gjë. Ndeshjet në vazhdim duhet t’i zgjidhim më mirë situatat kur jemi në epërsi numerike. Kemi përmirësim në aspektin e mbajtjes së topit”.
GOLI I PËSUAR DHE SULMUESIT– “Kemi pësuar gjithmonë gola kur nuk e kemi kontrollin e topit. Sot ndodhi ndryshe, çuditërisht, dhe ishte meritë e Gripshit në finalizim. Për sulmin zgjedh ata që janë më në formë dhe që më bindin të jenë në lojë.
MBROJTJA – “Nuk ka lidhje me kundërshtarin mbrojtja me tre apo me katër. Në filozofinë time është që të aktivizoj lojtarët më të mirë në pozicionet ideale. DO të shohim si do të rreshtohemi. Deri para derbit luajtëm me tre, kishim pak alternativa në mbrojtje. Mala ka mangësi kur nuk kemi topin, por po rritet. Është përgjegjësi e imja aktivizimi aty. Nga momenti që po luajmë me katër, kemi arritur të marrim këto rezultate”.
TË PAKËNAQURIT – “Më intereson të fitojë Partizani, këtë duhet të fiksojnë të gjithë. Normal ai që del nuk mund të jetë i kënaqur. Në fund vlen fitorja dhe ajo ka më shumë rëndësi”. /abcnews.al