Franco Lerda, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Luftëtarin ka dalë para mediave dhe ka folur për çështje të ndryshme. Mes tyre ai foli edhe për lëvizjet e fundit në staf dhe kërkoi përqendrim nga skuadra e tij për ndeshjen e radhës me Luftëtarin.
“Jemi të qetë, kemi punuar mirë. Ka qenë një vendim i klubit për të bërë lëvizjet në staf. Çdo gjë funksion normalisht. Kalarin e njoh, e kam takuar kur kam parë Partizanin B. Aty kalonim lojtarë dhe kemi folur. Është djalosh inteligjent, i cili ka dhënë për klubin dhe i njoh djemtë. Mendoj se do të jetë ndihma e madhe për mua. Do të jetë bashkëpunëtori im, i cili do të më japë ndihmën e tij”.
“Largimi i Mehmetit? E thashë, ka qenë një zgjidhje e klubit. Klubi vendosi për të mirën e Partizanit. Nuk shoh TV dhe as lexoj gazeta. Nuk ndikohemi nga lajmet që dalin. Punojmë dhe shohim punën tonë. Fokusi është te skuadra, nuk mendojmë çfarë flitet jashtë familjes tonë”.
“Pritshmëritë? Pres një paraqitje të mirë, siç bëmë me Kukësin. Normal me pak fat më shumë, me më shumë kualitet në disa momente të lojës. Rruga është e duhura, jemi mirë fizikisht dhe mendërisht. Mendoj të vazhdojmë me këtë ecuri”.
“Në ndeshjen e parë me Luftëtarin shënuam vetëm një gol. Kishim raste, por nuk ishim të saktë para porte. Po punojmë të përmirësohemi në këtë aspekt, pasi na ka penalizuar pak. Krijojmë raste, bëjmë lojë, por gabojmë në finalizim ose në pasimin e fundit ndonjëherë. Duhet t’i zgjidhim ndeshjet sa më shpejt”.
“Rotacion? Të gjithë kanë pasur mundësi të luajnë. Kemi pasur probleme me Koten, Telushin, Solomon. Kjo ka bërë që të luajnë lojtarë të tjerë. Solomon dhe Kote nuk do të jenë sërish, është rikthyer Telushi për ndeshjen me Luftëtarin”.
“Partizani, skuadra më e fortë? Unë kam besim te skuadra. Paraqitja me Kukësin më ka bërë krenar dhe ma ka shtuar besimin. Nëse vazhdon të paraqitet kështu, mendoj se mund të bëjmë mirë. Nuk anashkalojmë skuadra si Kukësi dhe Tirana, ashtu sikurse edhe Bylisin. Kemi të bëjmë me një kampionat të vështirë”.
“Rivali më i fortë? Të gjitha ekipet i vlerësoj maksimalisht, nuk i druhem asnjë ekip. Duhet të kemi respekt për veten dhe të japim maksimumin. Nëse bëjmë këtë, atëherë jemi në rrugën e duhur. E thashë, tre skuadrat më lart janë të forta. Bylisi është një surprizë, nuk e di nëse do të vazhdojnë kështu deri në fund”.
“Kalendar i favorshëm? I shohim ndeshjet një nga një. Fillimisht mendojmë për sfidën e nesërme. Çdo gjë hap pas hapi. Kjo është metoda ime e punës. Kalendari nuk të jep pikë, t’i jep fusha, ndeshjet. Të shohim çfarë ndodh nesër, më pas shohim ndeshjen tjetër. Shoh vetëm kundërshtarin e radhës, sipas kalendarit”.
“Duhet përqendrim maksimal, pavarësisht se luajmë ndaj Luftëtarit. Kur luhet ndaj ekipeve si Kukësi e Tirana përqendrimi vjen vetvetiu. Edhe në këto sfida duhet të jetë i njëjtë përqendrimi”.
“Skema me 10 ekipe? Është e vështirë, pasi skuadrat të njohin më mirë. Duhet të punojmë dhe të shohim situatat që ndryshojnë. Janë katër ndeshje. Për mua është diçka e re diçka e tillë”. /abcnews.al