Cristiano Ronaldo është emri më i përfolur gjatë ditëve të fundit në lidhje me merkaton. Para pak ditësh u publikua një lajm, ku flitej se portugezi nuk do të rinovonte me Juven dhe do të nxirrej në shitje nga Juventusi për të rikuperuar paratë e harxhuara për të.
Kjo çështje tashmë nis të marrë përmasa të tjera dhe në skenë hyjnë aktorë konkretë. Nëse ka një klub që mund të mbledhë yjet më të mëdhenj në skuadër, është PSG. Francezët kanë disa nga më të mirët e planetit, por nuk mjaftohen me kaq.
Drejtori sportiv i francezëve, Leonardo, i pyetur në lidhje me blerjen e Ronaldos tregohet i gatshëm të punojë për të blerë portugezin, edhe pse futbolli është në krizë prej pandemisë.
“Është diçka normale që ai të jetë i lidhur me PSG sepse ne jemi pjesë e atij rrethi të vogël të klubeve që mund të përballojnë kërkesat e Ronaldos.
Edhe nëse situata financiare është e vështirë për të gjithë, merkatoja është çështje mundësie, përtej planifikimit. Ndonjëherë ndodhin gjëra të jashtëzakonshme. Por gjatë merkatos së fundit nuk na erdhi ky rast”, u shpreh braziliani. /abcnews.al