Situata te Barcelona është e nderë, sidomos pas humbjes së fundit të pësuar në transfertë me skuadrën e Granada. Trajneri Ernesto Valverde ka marrë përgjegjësitë mbi humbjen, por kjo nuk e bën atë më popullor përballë lojtarëve.
ESPN raporton se tekniku spanjoll e ka humbur besimin e disa prej lojtarëve të skuadrës. Fillimi i këtij sezoni nuk ka qenë aspak i mirë, teksa në pesë ndeshje Barcelona ka grumbulluar vetëm 7 pikë, ndërkohë që ka barazuar në Champions League kundër Borusia Dortmund.
Transferta janë kthyer në një “makth” dhe Valverde e pranoi në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Granada. Nëse Barcelona nuk e shkarkoi trajnerin në verë, kjo ndodhi për shkak se ai kishte kontrollin e ekipit në dhomat e zhveshjes. Tani gjërat po ndryshojnë.
Gjithsesi, ESPN shkruan se presidenti Josep Bartomeu është i qetë dhe nuk nxitohet të marrë një vendim për trajnerin. Kjo për momentin, pasi nëse rezultatet nuk do të kthehen në favor të katalanasve, atëherë me shumë mundësi Valverde do pasohet nga një tjetër trajner.
Nuk duhet harruar se Barcelona po luan pa Suarez e Dembele të dëmtuar, kurse Mesi së fundmi ka lënë dëmtimin dhe ende nuk është gati të luajë si titullar. Normalisht mungesat kanë ndikuar edhe te rezultatet. / abcnews.al