Nga Philip Stephens, Financial Times
Apeli i presidenti të ri amerikan Joe Biden javën e kaluar, që SHBA-ja dhe Evropa të riaktivizojnë aleancën e tyre kundër forcave globale të autoritarizmit, shmangu përmendjen e marshimin të qëndrueshëm të anti-liberalizmit në Hungari dhe Poloni.
Presidenti amerikan është një njeri i sjellshëm. Ndërsa ai foli virtualisht në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, unë vetëm mund të supozoj se u soll kështu për të mos e sikletosur shumë kancelaren gjermane Angela Merkel.
Kur Biden flet për ringjalljen e demokracisë, ai është bindës në atë që thotë. Ndoshta është një virtyt që e kanë disa breza. Retorika është e mbushur me një pasion të caktuar.
Përkrah Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, paralajmërimi i Biden se Perëndimi është në një moment delikat në garën e vlerave me një Kinë agresive dhe një
Rusi sfiduese mbart një bindje:“Demokracia nuk ndodh rastësisht. Ne duhet që ta mbrojmë atë. Forcojeni atë. Ripërtërijeni atë”.
Në kuadër të hedhjes poshtë të udhëheqjes ndërkombëtare të Amerikës nga Donald Trump, Biden ka ofruar më shumë se sa fjalë të ngrohta. Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në Marrëveshjen e Parisit për ndryshimin e klimës dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
SHBA po mbështet zgjatjen e paktit të fundit me Moskën mbi kufizimin e armëve bërthamore, ndërsa ka sinjalizuar se dëshiron që t’i ribashkohet edhe marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit. Në vetvete, ri-angazhimi i SHBA-së me këtë pakt nuk zgjidh asgjë. Por gjithsesi krijon mundësinë e zgjidhjes së ngërçit.
Evropa nuk i jep askujt shansin që të dyshojë në përkushtimin e saj të deklaruar ndaj një rendi liberal shumëpalësh. Sidoqoftë, Bajden po vë në dukje hendekun midis fjalëve dhe veprave. Nacionalizmi i shëmtuar i Trump, ishte një shkak për pakënaqësi, por gjithashtu edhe një justifikim për mosveprim.
Biden kërcënon që të ekspozojë qasjen “biznesi i pari” të Merkel ndaj vlerave të çmuara evropiane. Sigurisht, në atë konferencë Merkel ra dakord se Perëndimi duhet t’u qëndrojë besnik parimeve të tij, përpara rritjes së Kinës dhe Rusisë revizioniste.
Por këto ishin marrëdhënie komplekse. SHBA dhe Evropa, vuri në dukje ajo, kanë ndonjëherë perspektiva të ndryshme. E nënkuptuar në këtë deklaratë ishte paralajmërimi se kritikat perëndimore ndaj shtypjes së ujgurëve në Kinë, apo shtypjes së demokracisë në Hong Kong, nuk duhet që të pengojnë eksportet e Gjermanisë drejt vendit komunist.
Sanksionet mbi regjimin e Vladimir Putin, në kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të një pjese të Ukrainës, ishin që të gjitha shumë pozitive, për sa kohë që ato nuk ndaluan ndërtimin e një gazsjellësi të ri në Detin Baltik për të dërguar gazin rus direkt në Gjermani.
Berlini është aq i vendosur në deklaratat e tij publike se respektimi i shtetit ligjor nga autokratët në Hungari dhe Poloni është e panegociueshëm, për sa kohë që këmbëngulja për vlera të tilla nuk bie ndesh me interesat tregtare të Gjermanisë tek këto vende.
Rrëshqitja e Budapestit dhe Varshavës drejt autoritarizmit, nxiti vitin e kaluar një përpjekje të Brukselit për ta lidhur financimin e ardhshëm nga BE me parimet themelore të demokracisë. Ky ishte një pranim i vonuar se kryeministrit Viktor Orban, udhëheqës i partisë hungareze të së djathtës ekstreme Fidesz, një admirues i Trump dhe Putin, dhe homologu i tij polak i partisë Ligj dhe Drejtësi, Mateusz Morawiecki, kanë drejtuar sulmet e dukshme ndaj pavarësisë së gjyqësorit në këto 2 vende anëtare të BE-së.
Me të dy burrat që po mbanin peng miratimin e buxhetit të BE-së, Merkel arriti një kompromis që shmangu hyrjen e menjëhershme në fuqi tërregullave të reja. Kompanitë e mëdha të prodhimit të makinave në Gjermani, që kanë investuar shumë në degët e tyre të prodhimit në Hungari, morën frymë të lehtësuara.
Në Hungari, enti rregullatori i medias i kontrolluar politikisht nga Orban, mbylli një radio opozitare me shumë ndikim në vend. Orban vazhdon të veprojë pa u ndëshkuar, pasi këtë e lejon Merkel. Një sanksion që do ta dëmtonte atë, do të ishte dëbimi i Fidesz nga Partia Popullore Evropiane, klubi i partive kryesore të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian.
Fidesz është pezulluar aktualisht nga PPE, por përpjekjet për ta dëbuar plotësisht Orban, janë sabotuar në mënyrë të përsëritur nga Unioni Kristiandemokristian i Merkel. Asnjë nga ato që u tha më sipër,nuk do të thotë që Biden nuk do të përballet me kompromiset e tij të vështira midis vlerave demokratike dhe real-politikës.
SHBA ka më shumë aleatë që nuk respektojnë parimet themelor. Ndërkohë, është e qartë, se Perëndimi duhet të gjejë mënyra për të punuar me Kinën dhe Rusinë, edhe pse po angazhohet kundër përpjekjeve të tyre për të shkatërruar sistemet demokratike.
Gjithsesi, BE-ja po e modelon veten si një fuqi “normative”. Por ajo nuk është asgjë pa angazhimin e saj të hekurt ndaj rendit të hapur, liberal dhe demokratik, që e promovon si një model për pjesën tjetër të botës.
Legjitimiteti i Gjermanisë së pas luftës u ndërtua mbi të njëjtat vlera. Tani është kombi më i fuqishëm i bllokut. Realizmi në çështjet globale, kërkon shpesh kompromise të këqija. Cinizmi refuzon që t’i pranojë këto pazare. Por nëse në Konferencën e Mynihut kishte një cinik, ai nuk ishte Joe Biden. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

