Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Lefter Kokën. Në seancën e sotme në GJKKO me dyer të mbyllura, Koka ka mohuar akuzat. “Kam respektuar ligjin”, tha ai përmes avokatit të tij.
Ish-ministri i Mjedisit u arrestua dy ditë më parë për aferën korruptive të inceneratorëve. Arrestimi i tij erdhi pas hetimeve nga SPAK.
Në një prononcim para mediave avokati i tij mbrojtës, Fatmir Braka tha se Koka mbajti qëndrimin e tij në seancë se është krejtësisht i pafajshëm. Sipas avokatit ish-ministri nuk është i përfshirë dhe nuk ka përgjegjësi për procedurat që janë ndjekur.
“Lefter Koka mbajti atë qëndrim që i përgjigjet të vërtetës. Që është krejtësisht i pafajshëm. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe konfirmoi edhe njëherë se nuk ka asnjë përgjegjësi për procedurat. Nuk u fol për përgjegjësitë e të tjerëve. Të gjithë në këtë proces të impiantit të Elbasanit nuk ka përgjegjësi, nuk aludon dhe as mendon se ka përgjegjësi të ndonjë tjetri. Gjithë procedurat që paraqitet sot është që nuk ka asnjë përgjegjësi”, tha ai.
Sipas tij arrestimi i Kokës erdhi i ndikuar nga politika, duke kujtuar shkëputjen e tij nga LSI.
“Unë mendoj se është momenti politik që ka ndikuar. Nuk është normale që një person ish-ministër, të merret në hetim dhe të arrestohet kur nuk është pyetur asnjëherë. Nuk është normale që ish ministri të merret i arrestuar”, u shpreh avokati.
I pyetur nëse arrestimi është politik, ai theksoi se kallëzimi është politik, ndërsa tha se do ta ankimojnë vendimin.
“Nuk mund ta gjykoj sepse kallëzimi është politik. Ne tani brenda pesë ditëve do të bëjmë animimin tonë”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al