Lefter Gështenja publikon dokumentin: Nuk kam asnjë lidhje me ish Sigurimin e Shtetit

schedule12:40 - 15 Janar, 2023

schedule 12:40 - 15 Janar, 2023

Deputeti demokrat Lefter Gështenja ka publikuar përgjigjen që ka marrë nga Autoriteti i Dosjeve lidhur me verifikimin e figurës së tij. Nëpërmjet një postimi në Facebook, teksa ka publikuar dhe dokumentin, Gështenja shkruan se as ai apo familjarët e tij nuk kanë asnjë lidhje me ish Sigurimin e Shtetit.

“Ta fillojmë nga vetja!
Iu drejtova zyrtarisht Autoritetit të Dosjeve të verifikojë figurën time dhe të familjarëve të mi.
Përgjigja erdhi: ASNJË lidhje me ish Sigurimin e Shtetit as unë dhe as familjarët e mi!
I qëndroj parimit se duhet ta nisim nga vetja, para se t’ja kërkojmë kundërshtarit.
Të jesh i pastër nuk ka të bëjë me ligjin por me moralin! Nuk i duhet shqiptarëve hapja e dosjeve nëse ata që drejtojnë vendin nuk marrin guximin të verifikojnë emrin e vet!”, ka shkruar ai.

“Nuk ka qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degës së punëve të Brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese të posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish Sigurimit të Shtetit.

Nuk ka qenë bashkëpunëtor aktiv i ish Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset e posaçme pas mbushjes së moshës 18 vjeç. Nuk ka qenë person me të dhëna nga ish Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.”, thuhet në dokument.

/abcnews.al