Lebron Xhejms u përjashtua për herë të parë në jetë

schedule16:16 - 29 Nëntor, 2017

schedule 16:16 - 29 Nëntor, 2017

Lebron Xhejms provoi në ndeshjen e fundit në basketbollin amerikan, diçka që nuk i kishte ndodhur kurrë. Ylli më i madh në botë nuk mundi ta përfundonte ndeshjen ndaj Majemit.

Gjithmonë ka një herë të parë.
Lebron Xhejms kishte një rekord të karrierës me të cilin ishte krenar, por ja që atij do t’i vinte fundi.
Ylli më i madh i basketbollit në botë u përjashtua për herë të parë në jetën e tij si lojtar i NBA-së dhe njeriu që e bëri këtë, që do të mbetet në histori, quhet arbitri Kejn Ficxherald.
Shumë i shkurtër dhe i imët në krahasim me gjigandin e Klivlendit, ai nuk ngurroi aspak t’i jepte dy gabime teknike njërin pas tjetrit, për shkak se Xhejms i ulëriti në fytyrë duke i kërkuar një faull.
Lebron ishte i bindur se ndaj tij u ndërhy në mënyrë të parregullt nga dy basketbollistë të Majemit, në ndeshjen e luajtur në Klivlend, por gjyqtari Ficxherald kishte mendim tjetër.
Pavarësisht nga protestat dhe nga emri i madh i Xhejmsit, vendimi nuk u ndryshua.
Numri 23 kishte 1082 ndeshje në NBA pa u përjashtuar asnjëherë dhe po ashtu nuk i kishte ndodhur një gjë e tillë as kur luante për 4 vjet në universitet.
Pas ndeshjes, Lebron ishte më i qetë.
“Nuk e kisha provuar kurrë këtë gjë në jetën time, – tha ai për gazetarët, – thuhet se gjithnjë ka një herë të parë, dhe për mua kjo paska qenë mbrëmja e duhur. Unë pësova faull dhe ia tregova gjyqtarit gjithë dëshpërimin tim. Tashë atë që duhej të thosha, dhe e kam thënë edhe herë të tjera, por nuk jam përjashtuar”.
Edhe pa Xhejmsin, Klivlendi nuk e pati problem fitoren në Arenën e vet ndaj Majemit.
Shifrat ishin 93-70 kur duheshin edhe 2 minuta deri në përfundim të pjesës së tretë, dhe nënkampionët e ruajtën epërsinë.
Suksesi u arrit me rezultatin 108-97.
Më i miri në fushë ishte Kevin Lov që shënoi 38 pikë, nga të cilat 32 në gjysmën e parë të takimit.
Kjo ishte fitorja e 9-të radhazi e Klivlendit në sezonin e rregullt, që po tregon tani formën e një pretendenti të vërtetë për titull./abcnews.al