Lebron Xhejms pësoi një tjetër humbje dhe tani e ka thuajse të sigurt se nuk do të jetë në plej ofin e basketbollit amerikan. Numri 1 i botës zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Bostonit, për përsëri nuk ia doli.
Me gjysmë skuadre as Maradona nuk ishte në gjendje të fitonte. Lebron Xhejms u gjend në një situatë të ngjashme, kur Lejkërsat u ndeshën me Bostonin, pa tre nga lojtarët kryesorë, Lonzo Boll, Brandon Ingram dhe Kajl Kuzma.
Disfata erdhi e pashmangshme, përballë ish-shokut të tij të skuadrës te Klivlendi, Kajri Irvingut, që e ka të sigurt që do të shkojë në plej of, ndërsa Lebroni thuajse e ka të sigurt që jo.
Xhejms zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, ndonëse ishte në parket vetëm për 28 minuta.
Ai shënoi 30 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 12 pasime për kosh, por Lejkërsat patën shumë pak alternativa, ndaj edhe u mundën brenda në Los Anxhelos, 107-120.
Bostoni, në të kundërt, e kishte ekipin thuajse të plotë. Irving shënoi gjithashtu 30 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi dy gjuajtje.
Ai u ndihmua nga Morris, Tatëm, Horford, Hajard, Rozier apo Braun.
Sëlltiksat, skuadra rekordmene e titujve në NBA, arriti fitoren e tretë radhazi duke u ngjitur në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, krejtësisht të sigurt për plej ofin.
Lejkërsat e Lebronit janë shumë më keq, në vend të 11-të në Lindje, shumë larg pozicionit numër 8, që të kualifikon. /abcnews.al