Lebron Xhejms në formën më të mirë të karrierës

schedule15:54 - 6 Nëntor, 2017

schedule 15:54 - 6 Nëntor, 2017

Lebron Xhejms po zhvillon një nga sezonet më të mira të karrierës, por skuadra e tij, Klivlendi, po paraqitet dobët. Basketbollisti numër 1 në botë nuk ka ekipin e duhur për të pretenduar një tjetër titull kampion.

Prej shumë vitesh cilësohet si numri 1 në botë.
Lebron Xhejms nuk ka lejuar askënd që t’ja verë në dyshim statustin në basketbollin amerikan, por jo gjithnjë ka pasur fatin në anën e tij.
Pas më shumë se 14 vitesh karrierë në NBA, në kabinetin e tij të trofeve janë vetëm 3 tituj kampion.
As te Klivlendi i parë, as tek Majemi, dhe as te ky Klivlend i tanishëm, kurrë nuk e pati një skuadër aq të fortë sa të dominonte kampionatin, ashtu siç bënë Boston Sëlltiks i Bill Rasëllit apo Lerri Bërdit, Lejkërsat e Xhabarit e Mexhik Xhonsonit apo Çikago e Majkëll Xhordanit.
Me 8 finale në karrierë, nga të cilat 7 radhazi në 7 sezonet e fundit, Lebron mund të kishte merituar më shumë.
Njëmbëdhjetë herë shënoi mbi 50 pikë në një ndeshje, me rekordin prej 61 pikësh në mars 2014, kur ishte tek Majemi.
Në përballjen e fituar ndaj Uashingtonit, dy ditë më parë, Lebron u bë lojtari më i ri në histori që kalon shifrën e 29 000 pikëve të shënuara, në moshën 32 vjeç e 309 ditë, ndaj 33 vjeç e 199 ditësh të Kobi Brajantit.
E gjitha kjo nuk duket se po mjafton.
Pas fitores me Uashingtonin, erdhi humbja e fundit, 117-115 brenda në Klivlend ndaj Atlantës, edhe pse Xhejms shënoi 26 pikë, kapi 5 topa në tabela, dhe shërbeu 13 asistë.
Nënkampionia në fuqi e NBA-së ka vetëm 4 fitore dhe plot 6 humbje, në një fillim që as nuk mund të mendohej me Lebronin në skuadër, dhe duket se largimi i Kajri Irvingut tek Bostoni ka lënë një boshësi të madhe.
Jo më kot, Boston Sëlltiks kryeson Konferencën Lindore, ndërsa Klivlendi ndodhet në vendin e 12-të, nga 15 skuadra gjithsej./abcnews.al