Lebron Xhejms fiton ndeshjen e yjeve në NBA

schedule15:39 - 19 Shkurt, 2018

schedule 15:39 - 19 Shkurt, 2018

Lebron Xhejms ishte protagonisti kryesor i ndeshjes së yjeve në basketbollin amerikan. Jo vetëm doli fitues, por edhe u shpall lojtari më i mirë i saj.

Formati ishte i ndryshëm, por jo shfaqja.

Ndeshja e yjeve nderoi traditat më të mira të basketbollit amerikan, duke u mbyllur pas një spektakli me sulm e pa mbrojtje, dhe me një ndeshje që pati jashtëzakonisht shumë pikë.
Këtë herë nuk luajti Lindja ndaj Perëndimit, apo anasjelltas, por Skuadra Lebron Xhejms ndaj Skuadrës Stefën Kërri, një shpikje për të larguar mërzinë e traditës e për të krijuar diçka të re.

Secili nga dy kapitenët, që kishin marrë më shumë vota nga tifozët në Konferencat e tyre, zgjodhi lojtarët e preferuar, ndërsa më pas u vunë përballë.
Fitoi Lebron dhe skuadra e tij, ku ishin përzier yjet nga të katër anët e NBA-së, ndërsa rezultati ishte 148-145.

Xhejms jo vetëm fitoi ndeshjen, por bëri diçka më shumë, u shpall Lojtari më i mirë i saj dhe e meritoi plotësisht.
Ishte shënuesi më i mirë me 29 pikë në 31 minuta, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 8 asist, përveçse vodhi një top nga kundërshtarët.

Bashkë me të shkëlqeu edhe Kevin Durant, rival i Lebronit në kampionat, duke shënuar 19 pikë.
Skuadra e kapitenit Xhejms pati edhe protagonistë të tjerë të mëdhenj si Rasëll Uestbruk, Kajri Irving apo Entoni Dejvis.

Ekipi i kapitenit Stefën Kërri pati heronj jo të zakonshëm.

Shënuesit më të mirë ishin DeRozan e Lilard me nga 21 pikë, ndërsa pas tyre Xhoel Embajd, Karl-Entëni Tauns, Janis Antetokumpo e Klej Tompson.
Yjet kryesorë, që priteshin me më shumë padurim, si Hardën apo Kërri, nuk dhanë atë që mendohej.

Skuadra e Kërrit kryesoi në pjesën më të madhe të ndeshjes, por gjithçka u përmbys në fund.
Gjithsesi, më shumë sesa rezultati, pati rëndësi që 20.000 spektatorët në “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos, dhe dhjetëra milionë para televizorit, ndoqën një shfaqje të madhe basketbolli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!