Lavdërime të mëdha për kombëtaren gjermane të futbollit. Mediat i bënë jehonë karakterit të fortë, ndërsa trajneri Joakim Loë falenderoi lojtarët e tij për fitoren.
Gjithçka në fund ishte e merituar.
Gjermania fitoi dhe gjithë bota nuk reshti së thëni “ju lumtë” futbollistëve kampionë të botës.
Jehona mediatike ishte e fuqishme.
“L’Ekip” nga Franca: Goditja e mjeshtrit!
Italiania “Il Korriere delo Sport”: Nuk dorëzohen kurrë!
“Marka” nga Madridi: Kros ringjall Gjermaninë!
Anglezja “Deili Meil” aludon për shprehjen e Linekerit dhe I bën jehonë reagimeve në rrjetet sociale: 21 burra vrapojnë pas topit dhe në fund fitojnë gjermanët. Tuiteri reagon ndërsa Gjermania mban gjallë shpresat në Kupën e Botës!
Çuditërisht, reagimet më të qeta i patën vetë gjermanët.
“Kiker”: Një fitore me dy gola, diferencë e drejtë!
“Bild” tallet dhe informon: Zv. kryetari i Partisë Socialdemokrate këshilloi Lëvin që ta zëvendësonte Krosin! Rojsi i tha diçka Krosit përpara golit të madh!
Trajneri Joakim Lëv, po ashtu ishte i qetë dhe analitik.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, dhe nuk e patëm të lehtë të thyenim mbrojtjen e fortë të Suedisë. Në pushim u thashë lojtarëve të ruanin qetësinë dhe jam shumë i lumtur që ata e bënë këtë gjë. Nuk luajtën me topa të gjatë, por me pasime të shkurtëra për të lodhur suedezët dhe për të krijuar hapësira. Në pjesën e dytë, ne shtuam presionin, dhe krijuam shumë raste. Patëm edhe fat, por e merituam”.
Lojtari më i mirë i ndeshjes për FIFA-n, Toni Kros, tregoi bisedën me Toni Krosin para golit.
“Në momentin e goditjes së dënimit, folëm me Krosin. Unë doja që të gjuanim direkt në portë, por ai nuk ishte i bindur, dhe kishte të drejtë, pasi ishte shumë anash portës. Atëherë vendosëm ta zhvendosnim topin për të pasur një kënd më të mirë për portën. Me të vërtetë, Toni nuk e gjuajti aq keq atë top”.
Tifozët gjermanë në Berlin, Rusi e kudoqoftë u hodhën përpjetë si të çmendur.
Edhe një herë tjetër mrekullia ndodhi, dhe besimi i tyre është që Gjermania do t’i lumturojë me një tjetër titull botëror./abcnews.al