Largohej drejt Malit të Zi, si u kap Redjan Rraja

schedule11:30 - 5 Nëntor, 2019

schedule 11:30 - 5 Nëntor, 2019

Më shumë se 200 forca policie u angazhuan për të prangosur njërin nga 5 personat e dyshuar për atentatin e tipit mafioz ndaj prokurorit Arjan Ndoj bashkë me dy miqte e tij. 34-vjeçari Redjan Rraja nga Fushë-Kruja, kushëri i deputetit Rrahman Rraja është arrestuar në tentativë për t’u larguar nga vendi drejt Malit të Zi.

Rraja është zbuluar nga gjurmët e lëna në automjetin që u gjet i braktisur në Shkafanë të Durrësit pas ngjarjes.

Prova më e fortë që grupi hetimor ka për të ndaluarin Redjan Rraja është pështyma e mbetur te një nga dy maskat e sekuestruara brenda automjetit tip Mecedes-Benz në Shkafandë të Ishmit. Gjithashtu në mjet u gjetën sipas policisë së Shtetit edhe dy kallashnikov, doreza dhe një bidon me benzinë.

Redjan Rraja kushëriri i deputetit të PS Rrahman Rraja u prangos në tentativë për t’u larguar në mënyrë tokësore nga vendi ynë, në drejtim të Malit të Zi nga Hani i Hotit. Në momentin e prangosjes atij iu sekuestruan dy aparate celularë, të cilat u dërguan për ekzaminime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Vetë Rraja ka mohuar të ketë lidhje me atentatin ku mbeti i plagosur Arjan Ndoj me detyrë prokuror në Durrës dhe dy miqve të tij, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho i njohur me pseudonimin “Rrumi i Sukthit”.

Por hetimet e policisë dhe asaj të prokurorisë ka dalë në konkluzionin se gjurmët papilare të gjetura në automjetin e padjegur i përkasin Redjan Rrajës. Për ekspertët e kriminalistikës, gjetja e automjetit të padëmtuar do të ndihmojë hetimin, pasi pritet që të ndërtohen profilet gjenetike të ADN-s të tre personave që dyshohet se kanë qenë brenda në mjet.

Forcat Operacionale Speciale u rikthyen edhe njëherë në Fushë-Krujë mëngjesin e së martës për të prangosur persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në atentatin e së premtes në 1 nëntor te mbikalimi i Sukthit në Durrës.

Në total u kontrolluan 15 banesa; në Krujë në Tiranë dhe në Lushnjë.

Policia thekson se janë gjetur prova të shumta materiale që implikojnë persona të tjerë në vrasjen e mbetur në tentativë të prokurorit Ndoj dhe dy miqve te tij. Në atentatin me tre të plagosur në Durrës, kanë marrë pjesë 5 persona, që dyshohet se janë me pagesë dhe që e njihnin mjaft mirë terrenin./abcnews.al